Burgjet s’mbajnë më! Policia vijon arrestimet e procedimet: 4 persona të arrestuar, procedohen penalisht 46 të tjerë
Policia ka arrestuar 4 persona për marshim-protestën ditën e djeshme në Tiranë për vrasjen e Klodian Rashës.
Po ashtu Policia ka proceduar në gjendje të lirë 46 persona të tjerë. Sipas njoftimit zyrtar, nga tensionet gjatë protestës një efektiv mbeti i plagosur.
Policia gjithashtu informon se gjatë protestës së djeshme protesta e organizuar ishte e paligjshme dhe u shoqërua me goditje me gurë, lëndë piroteknike dhe sende të forta ndaj punonjësve të policisë si dhe gjatë marshimit me dëmtim të kazanëve të mbeturinave, sinjalistikës rrugore dhe vendstacioneve të mjeteve të transportit publik.
Tensioni u ripërsërit edhe në sheshin ”Skënderbej” rreth pemës së Vitit të Ri ku në të dyja rastet nuk munguan shoqërimet e protestuesve nga Policia.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Tiranë
Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërruan pronën publike dhe private, plagosën 1 punonjës policie arrestohen në flagrancë 4 shtetas, si dhe procedohen në gjendje të lirë 46 shtetas të tjerë.
Me date 13.12.2020, në Sheshin “Skenderbej” nisi një tubim i paligjshëm, i cili vazhdoi më pas në drejtim të godinës së Kryeministrisë, në afërsi të DVP Tiranë, në drejtim të “Bllokut” dhe disa më pas të ndarë me grupe janë kthyer sërisht në Sheshin “Skëndërbej” dhe duke vazhduar më tej në rrugën e Durrësit, rrugën “Dritan Hoxha” dhe Sheshit Shqiponja, ku kanë dëmtuar gjatë rrugës së përshkruar kazanët e mbeturinave, sinjastikën rrugore, reklamat e bashkisë dhe vendstacionet e mjeteve të transportit publik.
Si pasojë e goditjes me gurë, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në drejtim të punonjsve të policisë të planizuar me sherbim, është dëmtuar një punonjës policie.
Më pas, në përfundim të veprimeve procedurale janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 46 të tjerë, për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës ” , ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private.
Policia e Tiranës apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.