Bushati: Dekreti i Greqisë për 12 miljet? Nëse cenohet siguria kombëtare, Shqipëria i ka potencialet për të reaguar
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati në një intervistë për emisionin “Real Story” në ‘News24’ deklaroi se nuk cënohet sigurua kombëtare e Shqipërisë në lidhje me dekretin e Greqisë për 12 milje në detin Jon.
Sipas tij, nëse ndodh kjo gjë, vendi ynë i ka potencialet për të reaguar siç duhet. Mes të tjerash ai theksoi se deri më tani nuk ka asnjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Po ashtu Bushati tha se palët duhet të bien dakord dhe të ulen në një tryezë para se të shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare.
“Kishte një frymë të madhe mosbesimi, dhe nuk ishte e lehtë që të uleshe në tryezë me Greqinë. Në 2014-ën Rama dhe Samaras i dhanë dritë jeshile për të diskutuar më tej. Kur i kam numëruar një ditë diskutimet politike në nivel ministrat të jashtëm kanë qenë mbi 52 diskutime. Dinamika ka qenë e jashtëzakonshme. Jemi bazuar tek parimet politike. Tani jemi përballë një fakti se nuk është gjetur gjuha në negociata. Se di nëse ka pasur një raund të 4 pasi unë e kam lënë 3. Deri sa është rënë dakord për të shkuar drejt Gjykatës Ndërkombëtare, kuptohet se nuk po transferohen përgjegjësitë. S’jam zëdhënësi i Greqisë as avokati i saj (Kur pyetet për dekretin për 12 miljet). Thuhet se Greqia me dekret merr 12 milje dhe futet në detin shqiptar. Në 2009 Shqipëria i njeh parimin e 12 miljeve Greqisë. Ky është fakt publik. Gjykata Kushtetuese këtë gjë që u bë në 2009 e ka thënë qartë; “Është tejkalim nga ana e Shqipërisë i të drejtës ndërkombëtare”. Në 25 prill doli ky dekret që do të diskutohet në parlament. Ky vend ka ministri Mbrojtje, flotë detare. Nëse cënohet siguria kombëtare e Shqipërisë, ajo ka mekanizmat për të kundërshtuar këtë gjë. Por në gjykimin tim nuk më rezulton se kemi të bëjmë në shkelje në kurriz të Shqipërisë. Shpreh bindjen time për këtë çështje. Ne duhet të ndajmë shtratin territorial, zonën ekonomik dhe detin territorial. Me Italinë kemi ndarë shtratin. Me Malin e Zi askush nuk thotë asgjë. Po pse kjo frikë ndaj Greqisë?!ky nuk është një gjyq siç jemi mësuar. Shqipëria dhe Greqia do të ulen sërish për të negociuar se për çfarë do të shkojnë në gjykatë. Edhe kur shkon në Gjykatë, dy palët shkojnë me dokument, se për çfarë do të bien dakord. Unë mendoj se Shqipëria është përfshirë në këtë proces, ka organizim shtetëror që i përgjigjet mekanizmave të këtij procesi. Kur shkon në gjykatë, ajo është e pandjeshme.”, tha Bushati.
Negociata Turqi-Greqi në Tiranë?
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një intervistë në emisionin “Real Story” në “News 24”,, duke folur për negociatat e mundshme mes Turqisë dhe Greqisë, që pritet të zhvillohen në Tiranë, tha se do të ndikonin pozitivisht për klimën në rajon.
Bushati tha se duhet që në këto bisedime të përfshihen edhe “hallet e shqiptarëve dhe të Shqipërisë”.
“Greqia dhe Turqia janë partnerë strategjikë të Shqipërisë. Turqia tashmë është përfshirë në vendet, që ne kemi marrëdhënie diplomatike strategjike, për shkak se është vend me peshë rajonale.
Negociatat mes Turqisë dhe Greqisë ndikojnë pozicitivisht për klimën në rajon. Nëse bisedimet do të ishin të mira, do na ndihmonin edhe ne. Nuk duhet ta shikojmë me skepticizëm. Mirë do ishte”, tha Bushati.
Përmbytjet
Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati tha se duhet një përqasje sa më e drejtë për çështjen e përmbytjeve dhe situata të krijuara nga moti i keq në vend.
Referuar pamjeve dhe intervistave të banorëve në Sukth të transmetuara sonte në “Real Story” në News24, Bushati deklaroi se janë pamje të vështira, por se shteti me kapacitetet që ka është në këmbë.
“Më lejoni të shpreh solidaritetin me gjithë banorët që po kalojnë ditë të vështira, por dhe me gjithë strukturat shtetërore, emergjencat civile, pushtetin vendor që po përballen me këtë situatë të vështirë.
Ishte një raportim i vërtetë. Janë bërë disa investime, është krijuar një agjenci e posaçme, por duhet të kuptojmë se nga njëra anë nuk e kemi ne në dorë ligjësinë e natyrës dhe nga ana tjetër raporti ynë me tokën nuk ka qenë më i miri i mundshëm. E rëndësishme është që të kemi një përqasje sa më të drejtë për këto fenomene.
Nga kontaktet që kam pasur me njerëz në Shkodër, situata është më mirë se çka qenë, por jam dakord me ju që pamjet që pamë janë pamje të vështira. Por duhet thënë që shteti me mundësitë dhe kapacitetet që ka është në këmbë. Ne si politikanë duhet të mendojmë si ta bëjmë më mirë këtë punë”, tha Bushati.