Bushati flet për postin që i dha Rama në OSBE: As jam shitur, as jam blerë

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i cili pak ditë parë është caktuar si i dërguari i posaçëm i kryeministrit Edi Rama në OSBE, në studion e Euronews Albania, theksoi se detyra që i është ngarkuar nuk ka lidhje me asnjë çështje të politikës së brendshme, por është një projekt pjesë e të cilit e ka ndierë veten që kur ishte ministër i Jashtëm.

“Gjatë këtij viti që nuk jam më ministër kam bërë thirrje ndërpartiake që të gjithë të japin kontributin e tyre. Në këtë pozicion që më është caktuar do përpiqem të jap më të mirën time. Kryesia e OSBE është një ndërmarrje e madhe në planin politik, sepse ndërveprimi është i madh në një organizatë që shtrihet në tri kontinente”, – tha ish-ministrin i Jashtëm.

Për Bushati kjo detyrë është edhe çështje imazhi, pasi nëse Shqipëria do ta ushtrojë siç duhet drejtimin e OSBE, reputacioni ndërkombëtar për të do të rritet. I pyetur lidhur me reagimet në publik pas zgjedhjet së tij në këtë post, pas përplasjeve që kishte pasur me kryeministrin që nga largimi prej detyrës së ministrit të jashtëm, Bushati u shpreh se bashkëpunimi i tij në këtë rast do të jetë që brenda mandatit të kryejë detyrën që i është caktuar dhe nuk ka asnjë lidhje me marrëdhënien e tij personale me kryeministrin.

“As u shita, as nuk bleva, as u pajtuam, as u idhnuam. Bashkëpunimi imi do të jetë në këtë raport të ri, që brenda mandatit që ofron kryetari radhës i OSBE, që është kryeministri, do përpiqem ta ushtroj brenda këtij mandati këtë detyrë që më është ngarkuar. Kur vjen fjala te OSBE, integrimi evropian, besoj se diferencat në mënyrën e të menduarit nuk duhet të përbëjnë arsye për të mos e ushtruar këtë detyrë”, – tha Bushati.

Teksa ka sqaruar pozicionin në trekëndëshin e krijuar mes tij, kryeministrit, që është njëkohësisht ministër i Jashtëm dhe ministrit të jashtëm të mandatuar nga kryeministri për të ushtruar detyrën, Gent Cakaj, Bushati tha se fakti që kryeministri Edi Rama po e ushtron këtë detyrë si kryesues i OSBE-së, flet më shumë se çdo lloj hamendësimi. “Këtë detyrë po e ushtron Rama. Që në dhjetor, në ceremoninë e marrjes së stafetës për kryesimin e OSBE dhe në vizitën e tij të parë në Ukrainë, që do të pasohet nga 2-3 vizita në nivelit të lartë”, – tha Bushati

SHKARKO APP