Bushati-Hahn: Integrimi, varet nga zbatimi dhe qëndrueshmëria e reformave
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në MPJ Komisionerin e BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të mbajtjes së takimit të radhës së Dialogut të Nivelit të Lartë politik Shqipëri-BE.
Ministri Bushati e njohu Komisionerin Hahn mbi ecurinë e reformave dhe të përpjekjeve të Qeverisë për të përmbushur në kohë kriteret e parashikuara në udhërrëfyesin për pesë prioritetet kyç. Ai vuri në dukje rëndësinë që ka marrja e një date për hapjen e negociatave sa i përket ecurisë së reformave, motivimit të administratës dhe mbështetjes publike.
Ne takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe përgatitjeve për Konferencën e Vjenës, të planifikuar për t’u mbajtur në gusht të këtij viti si dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta me interes për gjithë rajonin.
Komisioneri Hahn vlerësoi ecurinë e deritanishme të reformave dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si dhe shprehu mbështetje të plotë për Shqipërinë në procesin e integrimit, duke nënvizuar se shpejtësia e këtij procesi varet nga zbatimi dhe qëndrueshmëria e reformave të ndërmarra.