Bushati: Hera e parë që një kryetar shteti ankohet për një ministër
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas lajmit se i fsheh ftesat që i vijnë Presidentit.
“Edhe nje rekord tjeter: hera e pare qe degjojme nje kryetar shteti qe ankohet per nje minister duke pretenduar se nuk e le me dale jashte!” shkruan Bushati në Twitter.
Një ditë më parë, Nishani deklaroi: “Ka pasur raste të përsëritura kur në Ministrinë e Jashtme janë bllokuar aktivitete ku është ftuar në evente ndërkombëtare për të marrë pjesë Presidenti i Republikës. Prej shumë muajsh, në mënyrë rastësore mora vesh që isha i ftuar nga komuniteti arbëresh në Itali dhe kjo ftesë e përcjellë nga ambasada jonë në Romë në Ministrinë e Jashtme ishte e bllokuar atje dhe Presidenti nuk kishte asnjë informacion dhe këtë e kam marrë pas një takim krejt të rastësishëm me Ambasadorin tonë atje, zotin Neritan Ceka. Në një kohë që ftuesit, në të drejtën e tyre mund të mendojnë që Presidenti nuk po i tregon respekt duke u përgjigjur që e pranon apo ftesën, apo do t’i vizitojë ata. Ju e dini që në Kroaci ka pasur zgjedhje të reja presidenciale dhe Presidentja e re organizon ceremoninë e inaugurimit të saj dhe ka ftuar krerët, Presidentët e rajonit të Europës Juglindore, midis të cilëve ka dërguar një ftesë-notë edhe për mundësinë që mund të ketë pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në një kohë që është konfirmuar pjesëmarrja e shumë presidentëve të rajonit, Presidenti nuk ka pasur asnjë informacion për këtë sepse ftesa dhe nota ka qenë e bllokuar në Ministrinë e Jashtme dhe vetëm pak ditë më parë në një takim krejt spontan me ambasadën tonë në Kroaci informohem që kam një ftesë të tillë, në një kohë që, nëse nuk do të reagonim, është e pajustifikuar që Presidenti të mos kthejë përgjigje, ndërkohë që Presidenti nuk ka informacion”.