Bushati i përgjigjet Nishanit: Kushtetuta nuk i njeh të drejtën e vetos
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i është përgjigjur deklarimeve të Presidentit të Republikës në lidhje me bllokimin e emërimit të Ambasadorëve dhe aludimeve të tij për fshehjen e ftesave nga Ministria e Jashtme.
Bushati shprehu keqardhjen për mënyrën sesi ka reaguar Nishani, ndërsa shtoi se në disa raste ai zgjedh rrugën institucionale dhe në të tjera raste, sikundër rasti i Visar Zhitit, ai zgjedh rrugën e të bërit publike të çështjes.
"Ambasadorët janë kompetencë e Qeverisë dhe Kushtetuta nuk i jep asnjë të drejtë Kreut të Shtetit që të ketë të drejtën e vetos. Ambasadorët propozohen nga Qeveria dhe kjo është një e drejtë që ia ka dhënë Kushtetuta, ia jep ligji dhe sovrani.
Mund të lexoni kompetencat e Presidentit dhe do të shihni që Kushtetuta nuk i jep të drejtën e vetos, pasi Presidenti nuk përfaqëson asnjë nga 3 pushtetet", theksoi Bushati.
Në vijim ai shtoi se në rastin e kandidatit Zhiti, Ministria e Jashtme është konsultuar me Vatikanin dhe më pas ka bërë propozimin.
"Unë nuk e di se cila nga arsyet që ka nxjerrë Presidenti bllokon dekretimin e Visar Zhitit, i cili është ish-deputet dhe ish-ministër i Qeverisë Berisha, i dekretuar në postin ministror nga Presidenti aktual.
Në fillim Nishani nxorri pretendimin e procedurave, më pas tha se Zhiti nuk plotëson kriteret, pastaja tha se Zhiti mund të ishte Ambasador i shkëlqyer në Paris apo konsull në Milano. Pra unë nuk e di se cilës nga këto pretendime i qëndron Presidenti", tha Bushati.
Ndërkohë në lidhje me fshehjen e ftesave, Bushati sërisht ka përgënjeshtruar Nishanin, duke theksuar se tashmë Presidenti është në Kroaci, në ceremoninë e inaugurimit të Presidentes së re kroate, dhe ky ka qenë edhe propozimi i Ministrisë së Jashtme.