Bushati-Kotzias: Zgjidhje çështjeve dypalëshe!
Pas takimit me ministrin grek të Jashtëm, Nikos Kotzias, në nisje të fjalës gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, e falenderoi homologun e tij grek për vizitën.
Sipas Bushatit, të dyja vendet kanë mbi një vit që po punojnë për të gjetur zgjidhje mbi disa çështje që lidhen me ligjin e Luftës dhe të ardhmen europiane.
“Kemi një partneritet dhe interes strategjik. Gjatë periudhës së fundit së bashku me mikun tim Nikos Kotzias kemi këmbyer disa ide për të arritur në një platformë të përbashkët për të zgjidhur çështjet dypalëshe. Dua t’ju njoftoj se sot kemi rënë dakord për një mekanizëm të përbashkët sesi do t’i adresojmë këto çështje”, tha ndër të tjera Bushati.
Sipas kryediplomatit shqiptar, kur propozimet e Kotzias krahasohen me ato të vendit tonë shihet se ka pika të përbashkëta dhe vullnet për të ecur përpara.
“Dua të falenderoj mikun tim Kotzias për vizitën e sotme në Tiranë së bashku me ekipin e tij. Është hera e disatë që ne takohemi në Tiranë, Athinë, Selanik, Bruksel dhe në forume ndërkombëtare. Kemi rreth 1 vit që po punojmë për të adresuar disa prej çështjeve që nuk kanë gjetur ende trajtim, si përsa i përket çështjeve që e kanë origjinën tek Lufta e dytë Botërore, çështje që kanë interes praktik për qytetarët, por edhe ato çështje që janë përcaktuese për integrimin në BE.
Bashkë me mikun Kotzias kemi shkëmbyer disa ide, apo një përpjekje për të shkuar drejt një platforme për të zgjdhur çështjet dy palëshe.
Ramë dakord për një mekanizëm për mënyrën sesi ne do t’i adresojmë këto çështje që tani janë listuar. Një mekanizëm që do të jetë periodik e intenisiv për të gjitha çështjet.
Nuk mjafton vetëm listimi i çështjeve, i kemi bërë publike në media, por energjitë tonë janë fokusuar sesi do të gjejmë zgjidhje në këto çështje.
Ka shumë pika të përbëshkëta dhe një potencial të madh për t’i adresuar dhe ka një vullnet nga ana e qeverive”, tha në fjalën e tij kryediplomati shqiptar.
I pyetur nëse në tavolinë është diskutuar për çështjen çame, Ditmir Bushati tha se ai respekton pikëpamjet e ndryshme që kanë me njëri tjetrin.
“Çështja çame e ka origjinën në luftën e Dytë Botërore. Është normale edhe për shkak të gjaknxehtësisë që kanë ballkanasit, të kemi pikëpmaje të ndryshme. Besoj se është e drejtë të sqarojmë se nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale. Shqipëria nuk ka pretendime ndaj Greqisë. Ne e respektojmë si fqinj dinjitoz dhe për mbështetjen e integrimit që na ka dhënë. Kur flasim për çështjen çame ka të bëjë me respektimin e të drejtave të shqiptarëve që ishin me pasaporta greke” – tha Bushati.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha gjithashtu se ka shembuj pozitivë për zgjidhje duke sjellë në vëmendje praktikën gjermanofranceze. Ndërkohë, në lidhje me ligjin e Luftës, ministri grek theksoi se Greqia beson se me deklaratën e Këshillit të Ministrave të 1987, ne nuk jemi në luftë dhe kjo është e vërtetë.
Në fund, sa i përket çështjes së kufirit detar me Greqinë, ministri Bushati tha se faktet janë të qarta pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet të nxjerrim mësime nga gabimet që ka bërë pala shqiptare. Gjykata Kushtetuese ka folur qartë për cënim të integritetit territorial të Shqipërisë. Ne jemi të vendosur për të ecur përpara me palën greke në frymën evropiane dhe në rregullat ndërkombëtare. Unë përfaqësoj një parti dhe një qeveri që nuk ka ndërmend të bëjë gabime të tilla”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

