Bushati në Greqi, takime me opozitën dhe shoqerinë civile
Në ditën e dytë të qëndrimit në Greqi, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Demokracisë se Re, Kyriakos Mitsotakis.
Gjatë takimit palët diskutuan për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe Greqi, situatën në rajon dhe më gjere. Kreu i Demokracisë së Re, Mitsotakis e njohu Ministrin Bushati me vështirësitë në të cilat kalon Greqia dhe rolin e kësaj force politike në përballimin e krizës. Ministri Bushati u ndal në vëmendjen e veçantë që i kushton Shqipëria zhvillimeve në Greqi dhe shprehu solidaritetin për momentet e vështira që kalon vendi fqinj.
Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve tona, fqinjë, anëtarë të NATO-s, dhe gjithnjë e më afër në planin evropian, është me rëndësi jetike në planin dypalësh, si dhe i shërben të ardhmes evropiane të rajonit.
Ministri Bushati u ndal në rëndësinë strategjike të raporteve dypalëshe dhe vëmendjen e veçantë që i kushton Shqipëria thellimit të mëtejshëm të kësaj marrëdhënie, si dhe nevojën për një komunikim të hapur me të gjithë aktoret në të dy anët në funksion të rritjes së frymës së besimit.
* * *
Ministri Bushati ishte i ftuar nga Fondacioni greke për Politikën e Jashtme dhe Evropiane, ELIAMEP për të diskutuar mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në kontekstin aktual. Të ftuar në aktivitet ishin përfaqësues të Trupit Diplomatik në Greqi, studiues, gazetarë dhe njohës të raporteve dypalëshe.
Pjesë nga fjala e Ministrit Bushati në ELIAMEP:
Të gjithë e dimë qe vendet tona i lidh ngusht gjeografia, historia dhe kultura. Nuk është nevoja t’ju them se sa të vjetër janë shqiptarët dhe grekët në këtë kënd të Evropës.
Nuk do të flas gjatë për kolonitë greke në brigjet ilire, për komunitetet shqiptarë në Greqinë e Mesjetës, apo rolin vendimtar të Arvanitasve gjatë Luftës së Greqisë për Pavarësi dhe pjesëmarrjen e tyre në shtet-ndërtimin e Greqisë ne shekullin XIX.
Do të kërkoj mirëkuptimin tuaj për t’i thënë gjërat hapur: në Shqipëri ekziston një perceptim i përgjithshëm se Greqia e ka pasur të vështirë të pranojë krijimin e Shtetit Modern Shqiptar; ndërsa perceptimi i përgjithshëm në Greqi është se shqiptarët – si popull – kanë një agjendë të fshehtë me qëllim pakësimin e influencës së Greqisë në rajon. Vizita ime në Athinë dhe diskutimi ynë këtu janë dy përpjekje për të ndryshuar këto perceptime hap pas hapi.
Me pak fjalë, marrëdhëniet tona karakterizohen ende nga një mungese e konsiderueshme mirëbesimi. Kjo sigurisht e ka një shpjegim: shekulli XX nuk ka qenë shumë bujar me ne, pasi ka prodhuar një varg të gjatë ngjarjesh të dhimbshme dhe emocionesh të forta.
Nga këndvështrimi i Shqipërisë, mund te evidentohet dëbimi tragjik dhe i dhunshëm i çamëve pas LIIB; Ligji absurd i Luftës i cili është ende në fuqi sot së bashku me efektet e tij; retorika e nxehtë gjatë regjimit komunist; dhe se fundmi lëvizjet migratore që kanë përcaktuar ndërveprimin tonë shoqëror dhe ekonomik gjatë 25 viteve të fundit.
Greqia është pjesë e katërkëndëshit strategjik të politikes së Jashtme te Shqipërisë, së bashku me Italinë, Austrinë dhe Turqinë.
Për më tepër, ne kemi një listë mosmarrëveshjesh të cilat nuk kemi qenë ende në gjendje t’i zgjidhim. Unë do t’i ndaj ato në tri shporta të ndryshme:
Në shportën e parë: çështjet e trashëguara nga e kaluara:
- Këtu gjendet çështja më e çuditshme në marrëdhëniet tona, “çështja e ligjit te luftës”;
- Gjendet gjithashtu edhe çështja e pronave të sekuestruara të qytetarëve shqiptarë në Greqi gjatë dhe pas LIIB;
- Gjithashtu, çështja e të Drejtave të Njeriut të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre;
Në shportën e dytë: çështjet e se tashmes, qe kane një impakt mbi jetën e përditshme, ku përfshihet puna e komisioneve të përbashkëta dypalëshe, si dhe çështjet konsullore;
Në shportën e tretë, çështjet që kanë një rëndësi te veçantë për të ardhmen: delimitimi i zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental është sigurisht një çështje kyçe. Por nuk duhet të harrojmë nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimin për sigurinë energjetike.
Kam dëgjuar disa herë, duke përfshirë edhe në nivelet më të larta në Athinë, se nuk ka gjendje lufte midis dy vendeve. Sipas këtij argumenti gjendja e luftës nuk ekziston më, ose siç shprehen disa kolege, ajo është «një relike» e të shkuarës. Megjithatë, kjo relikë është ende prezente.
Deri më sot Dekreti Mbretëror i 10 nëntorit 1940, i cili vendosi gjendjen e luftës me Shqipërinë nuk është shfuqizuar. Çuditërisht, një dekret i ngjashëm me Italinë është shfuqizuar nga Greqia disa vjet pas LIIB.
Nuk mund të jemi miq dhe armiq në të njëjtën kohë. Kjo situatë është joproduktive, qesharake, dhe ka nevojë për zgjidhje të menjëhershme.
Në qoftë se duam të hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona, Dekreti Mbretëror i 1940s duhet të shfuqizohet, së bashku me efektet e tij. Para se të mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme se bashku, duhet së pari t’i japim fund Luftës së Dytë Botërore.
KOHA JONË SONDAZH

