Bushati në Selinë e Shenjtë, audiencë me Papa Françeskun

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë në Selinë e Shenjtë ku, përveç takimit me homologun e tij Mons. Paul Richard Gallagher, Sekretar i Marrëdhënieve me Shtetet, ai pati edhe një audiencë me Papa Françeskun.

Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe midis vendit tonë dhe Vatikanit teksa festojmë 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Në takimin me Mons. Gallagher, Ministri Bushati, vlerësoi jehonën mbresëlënëse dhe gjurmët e thella që la në Shqipëri vizita e Papa Françeskut.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Jemi të ndërgjegjshëm se marrëdhëniet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale. Shenjtërimi i Nënë Terezës në shtator të këtij viti dhe lumturimi i 38 martirëve të Kishës katolike shqiptare nga Papa Francesku përbëjnë frymëzim për të gjithë shqiptarët dhe forcojnë marrëdhënien tonë të privilegjuar me Selinë e Shenjtë”, u shpreh ministri Bushati.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në takimin me Mons. Gallagher, ministri Bushati falënderoi Selinë e Shenjtë për nismat dhe projektet e realizuara në arsim, shëndetësi, ndihmë sociale në vendin tonë duke dëshmuar një mbështetje konsistente për rimëkëmbjen e vlerave evropiane dhe progresin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve në rajon.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon, vëmendjen e veçantë të Vatikanit për proceset integruese të të gjitha vendeve të rajonit, duke përfshirë Kosovën, por edhe mbi aktualitetin ndërkombëtar.

“Bashkëpunimi i iniciuar vitin e kaluar me një grup vendesh partnere, duke përfshirë Selinë e Shenjtë, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ka pasur efekte konkrete dhe pozitive”, tha Ministri Bushati.

Në audiencën me Papa Françeskun, ministri i shprehu Atit të Shenjtë mirënjohjen për dashamirësinë dhe vlerësimin e vazhdueshëm që ai i ka dhënë popullit dhe kombit shqiptar si një sinjal i qartë pozitiv për intensifikimin e marrëdhënieve tona.

“Ju jemi mirënjohës që flisni në emër të lirisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor. Suksesi i lidershipit tuaj moral përbën një inkurajim për të gjithë shqiptarët”, theksoi Ministri Bushati.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?