Bushati në Singapor: Intensifikim të kontakteve politike
Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Singapor, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u prit në takim nga kryetarja e Parlamentit të Singaporit, Halimah Yacob.
Në takim, palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimin e kontakteve politike nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë si dhe intensifikimin e diplomacisë parlamentare.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe tregtare, si dhe u diskutua mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ngjarjet më të fundit ne Azinë Juglindore.
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Bushati u prit edhe nga Ministrja pranë zyrës së Kryeministrit, Ministre e Dytë për Mjedisin dhe Burimet Ujore dhe Ministre e Dytë e Punëve të Jashtme të Singaporit, Grace Fu.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi intensifikimin e raporteve dypalëshe mes Singaporit dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimet më të fundit në dy rajonet respektive.
Fu vlerësoi bashkëpunimin që të dy vendet kanë në organizmat ndërkombëtarë dhe shkëmbimin e mbështetjes reciproke, si një bazë e mirë e intensifikimit të raporteve tona.