Bushati: Nëse duam të përparojmë, duhet konsensus kombëtar

Këtë të enjte Kuvendi është mbledhur në seancë parlamentare, ku pika kryesore e rendit të ditës është diskutimi e më pas miratimi i projekt-rezolutës së propozuar nga deputetët Senida Mesi dhe Rudina Hajdari për negociatat me BE-në. Amendamentet e socialistit Ditmir Bushati u përfshinë në dokument në pjesën më të madhe por jo afatet që ai i propozonte qeverisë për të përmbushur detyrimet që ka drejt unionit.

”Është vendi që ka investuar më shumë në procesin e zgjerimit dhe në këtë kontekst, në rast se flasim për kushte, besoj se të gjithë duhet të flasim për nevojën për të rritur standardet në jetën e përditshme. Prandaj është absurde lufta politike, e cila kërkon të legjitimojë kauzën e saj përmes disa detyrave të shtëpisë që na i përcakton Bundestagu gjerman, që në fund nuk janë detyra vetëm për Shqipërinë, por edhe vija e sjelljes që një parlament demokratik i përcakton qeverisë”.

Ish-ministri i Jashtëm shtoi se duhet konsensus kombëtar. ”Ne kemi notuar kundër rrymës dhe po notove kështu nuk ke dot sukses. Kjo është arsyeja që kam propozuar pakt kombëtar për Evropën, ku secili bën detyrat që i takojnë. Nuk diskutohet që barrën kryesore e ka qeveria por përgjegjësia është e përbashkët. Shqetësimet e vendeve anëtarë të BE-së nuk janë çështja themelore, çështja themelore është ku jemi ne? Me këtë rezolutë shpresoj që të hedhim një hap për detyrat që duhet të ushtrojmë ne si Kuvend”.

SHKARKO APP