Bushati Qeveria maqedonase të angazhohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në një takim dhe zhvilloi bisedime me homologun maqedonas Nikola Poposki, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë takimit, ministri Bushati e siguroi homologun e tij se Shqipëria mbështet integritetin, sovranitetin, stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë. Ai i shprehu homologut maqedonas vëmendjen dhe rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona fqinje.

Duke vlerësuar dhe mbështetur aspiratat demokratike dhe rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, ministri Bushati e cilësoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit  në interesin jetik të stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë, si busullën e shtet ndërtimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.

Ministri Bushati u shpreh se “zbatimi i plotë dhe rigoroz i saj i shërben ndërtimit të besimit reciprok ndërmjet komuniteteve dhe të ardhmes Evropiane dhe euro-atlantike të Maqedonisë”.

Për  këtë arsye ai kërkoi një angazhim më të madh nga ana e Qeverisë së Maqedonisë në këtë drejtim.

Nga ana e tij, ministri Poposki vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, duke theksuar angazhimin e qeverisë së vendit të tij për të vijuar intensifikimin e reformave që çojnë drejt këtij qëllimi.

Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh politik dhe konkluduan se mundësitë dhe realizimi i bashkëpunimit ekonomik nuk i përgjigjet nivelit të atij politik. Për këtë qëllim ministrat e vunë theksin në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike.

Dy ministrat biseduan edhe për angazhimin e dy qeverive tona, në frymën e Konferencës së Berlinit, për të identifikuar projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës dhe energjisë si dhe gjetjen e rrugëve për financimin e tyre. Ministrat shprehën shqetësim lidhur me ngjarjet e fundit në Francë, duke u theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia do të jenë përkrah koalicionit anti-terror në luftën kundër terrorizmit.

Në fund të takimit dy ministrat iu referuan përgatitjeve për mbajtjen në Tiranë, më 23-24 shkurt 2015, të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të SEECP-se, proces që këtë vit kryesohet nga Shqipëria.

SHKARKO APP