Bushati: Shqipëria mbështet integritetin territorial të Ukrainës
Pavlo Klimkin po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa mes Shqipërisë dhe Ukrainës është nënshkruar edhe marrëveshja për heqjen e vizave për shtetasit e të dy vendeve
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka deklaruar sot se Shqipëria mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Këtë deklaratë kreu i diplomacisë shqiptare e bëri gjatë konferencës së përbashkët në Tiranë me homologun e tij të Ukrainës, Pavlo Klimkin.
Pavlo Klimkin po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa mes Shqipërisë dhe Ukrainës është nënshkruar edhe marrëveshja për heqjen e vizave për shtetasit e të dy vendeve.
Ministri Bushati theksoi gjatë fjalës së tij se është marrë përsipër që të hartohet një plan i përbashkët veprimi që do të shtyjë përpara bashkëpunimin dhe do të finalizojë disa marrëveshje mes dy vendeve.
“Mes dy vendeve tona ekziston një raport i mirë dhe miqësor. Sot firmosëm marrëveshjen për heqjen e vizave për shtetasit tanë, që besoj se do të krijojë mundësi më të mëdha për qytetarët e të dy vendeve dhe përfaqësuesit e biznesit për të shfrytëzuar potencialet që kanë tregjet respektive. Diskutuam për përmirësimin dhe më tej të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës. Sot pata mundësinë të rikonfirmoj në emër qeverisë shqiptare mbështetjen e plotë të Shqipërisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, është shprehur Bushati.
Ndërsa ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Pavlo Klimkin, theksoi se vendi i tij beson në mbështetjen që ofron Shqipëria. “Shqipëria është partner i rëndësishëm kundër agresionit rus në Ukrainë. Unë sot jam këtu për të diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Me marrëveshjen (e vizave) synojmë edhe rritjen e numrit të turisteve mes vendeve dhe vizitave të tjera të ndërsjella. Është e rëndësishme që këtë nivel bashkëpunimi ta zgjerojmë dhe mbajmë edhe në të ardhmen. Kemi një traditë historike të takimeve mes vendeve”, ka theksuar Klimkin.
Klimkin ka folur edhe në lidhje me qëndrimin e vendit të tij rreth pavarësisë së Kosovës, ku ai ka shtuar se arsyeja pse nuk e ka njohur Ukraina Kosovën është se kjo çështje është ende në sqarim. Ai ka theksuar se Ukraina nuk e ka bllokuar njohjen e Kosovës dhe nuk ka vepruar kundër këtij shteti.
Ndërsa Bushati ka theksuar se nuk mund të ketë një krahasim mes Kosovës dhe Krimesë.
Kryediplomati shqiptar, duke u ndaluar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka theksuar se Shqipëria është e palëkundur për të qenë një vend që do të vijojë të kultivojë një qasje pozitive në rajon. Sipas tij, Shqipëria i ka shfaqur qartë të gjitha pozicionet dhe pikëpamjet për çështjet e mbartura me Greqinë, duke shtuar se synohet të zgjidhen dhe trajtohen në kuadër të vlerave evropiane dhe drejtës ndërkombëtare.(AA)
KOHA JONË SONDAZH

