Bushati: Shqipëria mbështet universalitetin e të drejtave të njeriut

Kjo është deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut‏.

Sipas tij, Shqipëria mbështet universalitetin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut. Mbrojtja më e mirë e të drejtave dhe lirive tona është e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin e një shoqërie demokratike.

Dhe për Shqipërinë, respektimi i drejtave të njeriut, është element vendimtar për konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjen e rolit të individit në shoqëri. Po kështu, respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut përbën gurin e themelit të ushtrimit të politikës sonë të jashtme.

“Vendi ynë ka tregues solid në përmbushjen e standardeve të të drejtave të njeriut, fakt i njohur dhe vlerësuar edhe nga organizatat ndërkombëtare. Ndaj, kontribuon së bashku me partnerët ndërkombëtarë në përballimin e krizave ndërkombëtare ku liritë dhe të drejtat e njeriut e dinjiteti njerëzor janë nën kërcënim.

 Këtë vit, 10 dhjetori e gjen Shqipërinë si anëtare të zgjedhur për herë të parë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut. Zgjedhja e Shqipërisë në këtë organizëm të respektuar ndërkombëtar është vlerësim dhe garanci shtesë për një angazhim konsistent në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

 Shqipëria ka shumë për t’i ofruar botës përmes vlerave që e karakterizojnë, si bashkëjetesa fetare, përkushtimi për paqe e stabilitet demokratik në rajon, toleranca dhe mikpritja”, përfundon Bushati.

SHKARKO APP