Bushati takon Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, z. Igor Crnadak, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri.

Gjatë takimit, dy ministrat e jashtëm biseduan mbi bashkëpunimin dypalësh me fokus të veçantë në atë ekonomik dhe tregtar. Ata theksuan nevojën e forcimit të këtij bashkëpunimi dhe zgjerimin e kuadrit ligjor me një sërë marrëveshjesh të reja dypalëshe.

Gjithashtu, ministrat trajtuan çështjet e integrimit euro-atlantik të vendeve të rajonit si dhe zhvillimet e fundit në kuadrin e Procesit të Berlinit në prag të takimit të ardhshëm të Vjenës.

Shqipëria mbështet plotësisht integrimin euro-atlantik të Bosnjë-Hercegovinës dhe vlerëson se nisma Gjermano-Britanike si dhe hyrja në fuqi e MSA-së janë hapa të rëndësishëm për ta sjellë Bosnjë-Hercegovinën më pranë BE-së. Ndërkohë Shqipëria, si përkrahëse e politikës së dyerve të hapura të Organizatës së Atlantikut të Veriut, ka mbështetur me bindje ftesën drejtuar B-H për t’u anëtarësuar në NATO.

  Në të njëjtën logjikë, duke folur për zhvillimet në rajon dhe kontributin që kanë dhënë e duhet të japin të dy vendet në forcimin e stabilitetit, sigurisë, konsolidimin e progresit demokratik dhe prosperitetit në një frymë besimi e bashkëpunimi sa më të ngushtë, Ministri Bushati theksoi karakterin gjithëpërfshirës të organizatave dhe nismave rajonale si një domosdoshmëri për kohezionin e Ballkanit Perëndimor dhe krijimin e sinergjisë së nevojshme për arritjen e objektivave dhe aspiratave tona të përbashkëta.

Në këtë kuadër, Ministri Bushati i kërkoi kolegut të tij boshnjak mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale të A-5 dhe RACVIAC si dhe njohjen e saj si shtet i pavarur.

Gjatë kësaj vizite u nënshkrua mes dy Ministrave “Marrëveshja mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë- Hercegovinës mbi lëvizjen e ndërsjellë të qytetarëve me Karta Identiteti”. 

SHKARKO APP