Bushati: U heq kapelen biznesmenëve që nuk ushqehen me paratë e taksapaguesve shqiptarë
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u shpreh mbrëmë në emisionin ‘Real Story’ se i respekton dhe i nderon biznesmenët që nuk mbahen e që nuk ushqehen me duke vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Edhe sot ka nevojë për më shumë konkurrencë. Pasi konkurrenca në ekonomi, në shkencë, në media, pra s’mund të jetë çdo gjë në këtë mënyrë se si po i qasemi një bote të re. Një botë që kërkon një aspekt, duhet të identifikohet avantazhi jonë konkurues. Ne jemi në një situatë që akuzojmë njëri-tjetrin, ndërkohë që nuk paguhemi për të akuzuar, por për politika publike.
Kur kam shkuar në Izrael pyetja e parë që më ka bërë kryeministri Netanjahu ishte sa inxhinierë nxirrni ju, sa matematicienë nxirrni ju. E ardhmja është e të dhënave, e bizneseve innovative. Sa nga ata që ne i quajmë oligarkë janë novatorë? Sa kontribuojnë për zhvillimin përpara të shoqërisë? Unë s’dua të përmend emra, por biznesmenë që unë kam respekt dhe u heq kapelen, janë biznesmenët që nuk ushqehen me paratë e taksapaguesve shqiptarë”, tha Bushati.