Buxheti 2022, Kryemadhi: Shkatërron sektorin e bujqësisë, qeveria bën goditjen e tretë fatale
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi diskutimin e saj në Kuvend për buxhetin e vitit 2022, e përqëndroi tek goditja që po i jep qeveria ”Rama 3” sektorit të bujqësisë. Teksa theksoi se një pjesë e fajit i takon politikës, Kryemadhi u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të unifikuar.
“Buxheti i viti 2022 prek në mënyrë direkte prodhuesit shqiptarë. Paketa e re fiskale e paraqitur sot për miratim është goditja e tretë fatale që i vjen sot qytetarëve pas tërmetit të vitit 2019, dhe më pas pandemisë. Do ta filloj me rritjen e çmimit me 6 lekë për litër të gazit për industrinë prodhuese.
Sot, një fabrikë ka nevojë për 10 mijë litra gaz në ditë dhe në qoftë se do të bënim një llogari të thjeshtë, kostot e këtij biznesi do të shtohen me 15.000 euro në muaj ose 180.000 euro në vit. Po t’i shtojmë dhe kostot e transportit e gjitha bashkë edhe me rritjen e çmimit të energjisë bizneseve tona i mbeten dy rrugë. E para, të ulin prodhimin duke ulur njëkohësisht dhe numrin e punëtorëve.
Dhe e dyta, të mbyllin aktivitetin sepse nuk përballojnë dot me kostot dhe produktet e tyre humbasin konkurrueshmërinë në tregjet e huaja por dhe në atë vendas. Kjo taksë do e bëjë produktin ”Made in Albania” më pak të konkurrueshëm.
Sot në vendet fqinje situata është ndryshe. Parashikohen investime për prodhuesit dhe 70 mln euro për bujqësinë. Ne nuk i afrohemi as shifrave neto. Kjo është e vërteta e suportrit që kjo qeveri po i ofron fermerëve për të hapur ”Open Balkan”. Dua t’u bëj thirrje fermerëve, që vërtetë qeveria harron të merret me ta, me rëndësi është unifikimi i tyre”.