Buxheti 2023, Gjiknuri: Elbasanit nuk do i mungojë mbështetja nga qeveria
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri bashkë me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja zhvilloi një bashkëbisedim me banorët në Njësinë Administrative Labinot-Fushë për buxhetin e vitit 2023, konsultim i kthyer tashmë në traditë nga kjo bashki. Gjiknuri, që është njëkohësisht dhe drejtues politik i PS në këtë qark, u shpreh se 2023 do të jetë dhe viti i investimeve në zonat rurale. Ai theksoi se ka ardhur momenti që vëmendja të shtrihet më shumë edhe në fshat.
“Vërtet qyteti ka marrë më shumë vëmendje në vitet e mëparshme. Normale sepse në qytet është dhe zhvillimi ekonomik dhe pjesa më e madhe e popullatës. Tani ka ardhur momenti që vëmendja të shtrihet më shumë edhe në fshat. Ato projekte që përmendi kryetari i Bashkisë janë projekte që kryeministri Edi Rama, qeveria, ne të gjithë i kemi sjellë për Bashkinë e Elbasanit.
Fondet që ka bashkia e Elbasanit nga të ardhurat e veta, një pjesë e tyre e mirë duhet të kalojnë në fshat. Edhe këta të mirëkuptojnë se ne e dimë shumë mirë që nuk do rregullohen të gjitha, janë 40-50 vjet të akumuluara. Nuk ka pasur kanale të ujërave të zeza në fshat dhe më përpara të themi të vërtetën. Por le të fillohet nga këto gjëra më të thjeshta, qendra shëndetësore, janë gjëra që i nevojiten të gjithë njerëzve. Mua më keni mbështetësin tuaj për t’i shtyrë përpara”.
Numri dy i socialistëve u shpreh se ekonomia po kalon një moment të vështirë si pasojë e luftës në Ukrainë që ka prekur gjithë botën. Gjiknuri vlerësoi dhe punën e kryebashkiakut Llatja dhe vëmendjen që ai i ka kushtuar përmirësimit të infrastrukturës dhe të shërbimeve të qytetarëve të Elbasanit. Ai tha se Bashkisë së Elbasanit nuk do i mungojë mbështetja nga qeveria.
”Këtë ua garantoj, me qëllim që çfarë ka fonde Gledi t’i lirojë në dobi të fshatit. Është afër kryeqytetit, është fare pranë portit, ka një rrjet të mirë energjetik për industrinë. Duke u zhvilluar ekonomikisht Elbasani, reflektohet dhe në zonat tona. Po edhe Bashkia do ketë më shumë të ardhura sepse po pati më shumë biznese do ketë më shumë lekë”.