Buxheti 2023 për Tiranën. Veliaj: Nga studentët, te 1000 kreditë e buta dhe ujësjellësi i ri
Veç bashkëbisedimeve me të rinjtë dhe bizneset, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nisur edhe një tur konsultimesh njësi për njësi për prezantimin e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Në takimin me banorët e Njësisë 1, Veliaj tregoi pikat kryesore në të cilat do të fokusohen investimet dhe shërbimet për këtë zonë.
Kryebashkiaku tha se ky buxhet është buxheti i solidaritetit, i cili do t’u vijë në ndihmë kategorive më të prekura nga kriza e rritjes së çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë. “Kur flas për solidaritetin, i referohem disa shpenzimeve që do t’i çojmë për të ndihmuar familjet në nevojë në këtë situatë krize. Një prej shpenzimeve që ka hyrë në fuqi është ai për studentët, ku aboneja do jetë falas. Pra, çdo student ka mundësinë të udhëtojë me të gjitha linjat e autobusit me kosto zero”,-tha ai, duke shtuar se bashkia do të mbulojë edhe gjysmën e kostos së konvikteve për ta.
Veliaj kishte një këshillë edhe për kandidatët e opozitës për Bashkinë e Tiranës: “Unë vërtet do të bëj një fushatë positive, siç kam bërë gjithmonë, pa u marrë fare me kundërshtarët e mi, por kam vetëm një këshillë për të gjithë ata që po garojnë për zgjedhjet e ardhshme lokale: Është shumë mëkat, madje është shumë turp, që në vitin 2022, platforma e gjithë atyre që kam dëgjuar deri tani, që duan të na mundin është: “Nuk jam unë i ardhur në Tiranë!” Çfarë gjuhe është kjo në 2022-in? Diskutohet në vitin 2022 jo “jabanxhiu”, jo “konviktori”! A është kjo gjuha e vitit 2022?”.
Kryebashkiaku shtoi se bashkia do të ndihmojë këdo që vjen në këtë qytet dhe e nis nga e para. “Tirana jonë do t’i ndihmojë të gjithë, edhe ata që sapo kanë zbritur në Tiranë. Nëse Tirana i dha mundësinë të bëhet dikushi Ilir Metës e Sali Berishës, do t’ia japë mundësinë çdo çuni dhe çdo goce që vjen këtu, që do të punojë këtu, që do të studiojë këtu dhe shkofshin edhe më lart e bëfshin gjëra shumë herë më të mëdha e më të mbara se të gjithë ne së bashku”.
Duke vijuar me investimet në kryeqytet, Veliaj nënvizoi se duke nisur nga ky muaj, nis transformimi i çdo njësie të Tiranës. “Vendimi që ka marrë Bashkia e Tiranës, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, është që ne të çojmë të gjitha fondet e pashpenzuara nga kriza për rehabilitimin, urbanizimin, asfaltimin, ndriçimin dhe shtrimin e çdo rruge të çdo njësie të Tiranës. E kemi hapur garën dhe në datën 13 nëntor në çdo njësi do shkojë kompania fituese për t’u siguruar që në çdo vend ku nuk kemi vënë ende dorë – asfalt, ndriçim, sinjalistikë – ne ta kryejmë brenda këtij viti, me këtë buxhet të ri dhe me këtë garë që ka realizuar Bashkia e Tiranës,” nënvizoi Veliaj.
Ai tha gjithashtu se bashkia do të ndihmojë edhe të gjitha familjet e reja me programin e kredive të buta. “Ne duam që edhe vitin tjetër, të kalojmë një paketë me rreth 1 mijë kredi të buta për të gjitha çiftet e reja që duan një ndihmë nga Bashkia e Tiranës për të ecur më tej,” u shpreh ai.
Sa i përket investimeve kryesore të planifikuara për vitin e ardhshëm, Veliaj veçoi atë për ujësjellësin e ri në Tiranë. “Një nga investimet që duam të bëjmë këtë vit, është të marrim një tjetër burim uji. Tirana është rritur, nuk mund të vazhdojë pafundësisht vetëm me Bovillën dhe Selitën. Ne duam të fillojmë punimet për të marrë ujë nga Guri i Bardhë, që është malësia që ndan Tiranën me zonën e Klosit dhe të Bulqizës. Ky do të jetë një nga vendimet tona kryesore për të furnizuar Tiranën me ujë dhe 5 depo të tjera në nivel lagjeje, për të shtuar presionin në të gjitha mëhallat ku ne na duhet një shtesë presioni për të çuar ujë deri në katet e fundit të pallateve,” shpjegoi Veliaj.