Buxheti, Jorida Tabaku sulmon Reformën Elektorale: Një hartë e pikturuar
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një postim të fundi në profilin Facebook, me anë të një artikulli të titulluar “Mbi pushtetin vendor!”, ka ngritur shqetësimin se Buxheti i Shtetit po merr kompetenca më shumë nga ç’ duhet dhe shton se Reforma Territoriale ngjan tani si “një hartë e pikturuar apo lojë kungulleshkash”, duke sjellë më shumë pengesa dhe dëme:
Nga Jorida Tabaku:
Gjatë javës së kaluar në Komision e Ekonomisë kam ngritur disa herë shqetësimin se Buxheti i Shtetit po merrte kompetenca më shumë se i takonte duke ndryshuar parime të caktuara dhe në akte ligjore me hierarki më të lartë si Kushtetuta.
Buxheti i shtetit i heq Qarkut çdo funksion që ia ka, përveç atyre që i kanë hequr me VKM, dhe redukton në mënyrë drastike fondet për qarqet duke i lënë hapësirë vetëm për 3,4% të transfertës së pakushtëzuar për paga, duke i vendosur në udhëkryq e duke mos i lënë zgjidhje tjetër përveç pushimeve masive nga puna.
Gjatë diskutimit të reformës territoriale, Partia Demokratike bëri një ofertë për të mos vënë hartën në qendër të gjithçkaje, por funksionet, përgjegjësitë, kompentecat. E mbasi të bihej dakord se cilat funksione do të delegoheshin nga niveli i parë në nivelin e dytë, mbasi të bihej dakord për rolin e Prefektit, të Qarkut, të Bashkive të bihej dakord për një hartë të re si produkt i këtyre e jo harta si pararojë. Interesi elektoral për të marrë sa më shumë pushtet, si kudo, bëri që Reforma Elektorale të përfundonte në një hartë të pikturuar e në një lojë kungulleshkash mes aleatëve.
Kjo reformë i la të paprekura qarqet, por tashmë kanë vendosur që qarqet m.gj.s janë organ i caktuar me Kushtetutë, ti atrofizojnë duke i hequr, funksione me vendim të Këshillit të Ministrave, duke i hequr fonde me Ligjin e Buxhetit të Shtetit. Vetëm për të mos arritur konsensus me opozitën janë dakord të shkelin dhe Kushtetutën! Sot do të flisnim ndryshe, e sot do të diskutonim për një paketë të plotë ligjesh, e jo për një ligj të cunguar si ai për Vetëqeverisjen Vendore që kanë sjellë në kuvend që ndjek pas Reformën Territoriale, kur duhej të ishte pararoja e Reformës!
E asnjë nga pyetjet që ngritëm në fillim të këtij procesi nuk mori përgjigje:
– A u kursyen 80 milionë Usd nga reforma? JO!
– A kemi shërbime më afër qytetarit? JO!
– A kemi më shumë kompetenca për Bashkitë e reja? JO!
– A kemi më shumë fonde për të ushtruar funksionet e tyre? JO!
Reforma Territoriale, ose harta elektorale si nisi ashtu dhe bitisi!
Një reformë e plotë, gjithëpërfshirëse, me ndryshime në të gjitha nivelet e qeverisjes është e nevojshme! E sigurisht kjo nuk ofrohej dot kur interesi primar ishin zgjedhjet, e jo interesi qytetar! Si shumë gjëra të tjera dhe këtë ua kishim thënë!
KOHA JONË SONDAZH

