Bylykbashi: Hapja e dosjeve është një farsë. Amendamenti i Alibeajt nuk u votua
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, thotë se historia e hapjes së dosjeve është një farsë. Po ashtu ai nënvizon edhe se amendamenti i Taulant Ballës është bosh, dhe nuk hap dosje.
“Në këtë moment, ka një grup pune pranë Komisionit të Ligjeve, i ngritur pa asnjë vendim formal të Parlamentit, midis Partisë Socialiste dhe deputetë të PD-së, të cilët po shqyrtojnë rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë. Ne kemi qenë në frontin që nuk kemi lënë gjë pa kritikuar për këtë reformë.
PS-ja ka nevojë për këtë dhe për të arritur te kjo i duhen 84 vota. Kështu që, do t’i japë një lugë bosh për hapjen e dosjeve. Historia e hapjes së dosjeve është një farsë. Edhe amendamenti i Taulant Ballës është bosh, nuk hap dosje. Kufizon të drejtën e atyre që bëjnë kërkesë për hapjen e dosjeve të të tjerëve. Kushdo hap dosjen e vet, por na u shit sikur të gjithë mund të hapnin dosjen e të gjithëve.
Ama, po ia kërkoi kryeministri, Autoriteti do ta bëjë natën ditë, sikur email anonim të çojnë, do ta nxjerrin nga fundi i arkivave informacionin që i duhet kryeministrit. Ndërsa qytetarët e thjeshtë apo studiuesit, nuk kanë për të marrë gjë.
Amendamenti i Enkelejd Alibeajt nuk u votua, por u votua ai i Ballës. Pyetja retorike është kjo: mendoni se PS do të shkruajë një amendament që i krijon asaj probleme? Nuk ka asnjë presje aty që flet për hetuesit apo prokurorët që çuan në burg apo në varr njerëzit. Kjo pjesë nuk preket fare. Ata janë elektorati më fanatik dhe i bindur i PS sot”.