Çaçi del si i pavarur, jo nën siglën e Gjinushit
Albert Çaçi, ish-deputeti i Partisë Socialiste do të kandidojë në zgjedhjet e 21 qershorit për kryetar të bashkisë së Fierit si i pavarur dhe jo siç u përfol se do të ishte kandidat nën siglën e Partisë Social Demokrate të Skënder Gjinushit. Ky fakt është konfirmuar në telefon për gazetarët lokalë nga zoti Çaçi, i cili nuk ka preferuar të japë shumë detaje, teksa thjesht ka pohuar se ka nisur punën për mbledhjen e firmave të nevojshme për regjistrimin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Albert Çaçi në këto zgjedhje do ketë përballë Armando Subashin nga Partia Socialiste dhe Enkelejd Alibeajn përfaqësuesin e Partisë Demokratike.