Selami kundër Bashës: Reforma në drejtësi, me referendum
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduart Selami përfundimisht është pozicionuar kundër kryetarit aktual të demokratëve dhe të opozitës, Lulzim Basha.
Renditja e tij në listën e propozuesve të nismës “Blushi-Hafizi” për ndryshimet në Kushtetutë që presidenti të zgjidhet nga populli dhe në veçanti për miratimin e draftit të reformës në drejtësi me referendum popullor, ka bërë që deputeti demokrat Selami të “udhëtojë” në krah të kundërt me kreun e partisë së tij, i cili gjithnjë e ka përsëritur se reforma në drejtësi duhet të miratohet me konsensus.
Kujtojmë se dy deputetët socialistë, Mimoza Hafizi dhe Blen Blushi kanë shpallur sot nismën e tyre për disa ndryshime kushtetuese, ku pritet që të mbështeten edhe nga disa deputetë të Partisë Demokratike. Sipas kësaj nisme ata synojnë që presidenti të zgjidhet nga populli dhe reforma në drejtësi të vendoset përmes referendumit. Pjesë e listës janë dhe deputetët e tjerë të PS, por dhe kreu i PAA Agron Duka, ai i PDK Nard Ndoka, deputeti i PDIU Tahir Muhedini, kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe ish-kreu i PD Eduart Selami.
KOHA JONË SONDAZH

