Caktohet data kur Sali Berisha do të paraqitet në gjyq
Për çështjen e aferës së ish-kompleksit Partizani, është caktuar që nesër (24 tetor) Sali Berisha të paraqitet në seancë për masën e sigurisë ”detyrim paraqitje”, ku edhe do të merret në pyetje si person nën hetim. “Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24.10.2023, ditë e Martë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqesore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 te K.Pr.Penale”, thuhet në reagim.
Më herët, Oficerë të Krimit Ekonomik shkuan në shtëpinë e Sali Berishës, në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë për t’iu komunikuar masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, mirëpo as kësaj herë nuk kanë mundur që ta takojnë. Njëjtë, ndodhi edhe në selinë blu ditën e shtunë.
Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Sipas SPAK, ish-kryeministri i vendit me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.