“Çam jam”, Idrizi në 30-vjetorin e Shoqatës Çamëria: Pa Çamërinë, Shqipëria është e mangët. Ta çojmë në vend amanetin e të parëve tanë
Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i ftur në 30-vjetorin e krijimit të Shoqatës Çamëria, deklaroi se e ka për krenari që është çam.
Idrizi theksoi se Shqipëria pa Çamërinë e Kosovën është e mangët, kurse shtoi se të gjithë çamët e shqiptarët duhet ta çojnë në vend amanetin e të parëve.
Përfaqësues i Shoqatës Çamëria: Çamëve iu grabitën pronat. Pritja e çamëve në Shqipëri nuk ishte shumë e mirë. Ajo që kemi arritur është se populli çam qëndron në këmbë dhe do e çojë deri në fund amanetin. Brezi i ri ta mbajë dhe ta çojë më tej amanetin e dhimbjes së paraardhësve tanë. I takon brezit të ri që të kryejë amanetin. Shoqata Çamëria ka bërë dhe do të bëjë shumë. Çamët kanë nxjerrë njerëz me vlera të mëdha.
Edita Tahiri: Unë jam shqiptare e Çamërisë, siç jam e Kosovës dhe e gjithë shqiptarisë.
Kim Mehmeti: Çamëria është dhimbje e thellë, aq sa loti dhe malli i atyre, që nuk kishin mundësi që të kthehen në trojet e tyre. Ideali i bashkimit na mban gjithmonë me shpresë. Plagët e kombit tim duhet që të shërohen.
Shpëtim Idrizi: Unë që kur kam lindur çam dhe do të jem çam. Duke na përcaktuar vetëdijen tonë, të tjerët na përcaktuan se çfarë jemi. Ne kemi një detyrë të veçantë. Ne kemi amanetin për Çamërinë. Ne të gjithë çamët kemi rrënjët e përbashkëta. Ne çamët na vranë dy herë, Fillimisht zervistët dhe më pas enveristët. në vitet e para të demokracisë, u krijua shoqata patriotike “Çamëria”.
Çamët gjetën në shoqatën patriotike Çamërinë. Ne kemi bërë një rrugëtim të gjatë dhe sfilitës, por të gjithë këtu jemi, sepse na thirri gjaku, na thirri vendlindja. Shumë shqiptarë e kanë Çamërinë, si pjesë të tyre. Çamërinë e gjen kudo, e gjen në Çamëri, e gjen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, në Itali apo në SHBA. Ne të gjithë kemi një hall: T’i japim zgjidhje çështjes së Çamërisë. Ne na gjeni kudo, por ne prapë jemi çuar dhe do të çohemi. Na gjeni kur na vjedhin zgjedhjet, e prapë ne çohemi.
Vdiq Jugosllavia dhe Dardaninë e ke aty. Do vijë dita që do të bashkohet edhe me Shqipërinë. Çam do jemi gjithmonë, do përsërisim gjithmonë “çam jam”. Pa Çamërinë, shqiptarët janë sakat, vetëm me atë ne jemi kokëlart me miqtë dhe me armiqtë. Shqipëria duhet të ketë Çamërinë dhe Kosovën, sikundër çdo njeriu i duhet shpirti e mushkëria për të jetuar. E djeshmja nuk harrohet. Politika na mundëson që të zhvillojmë më tej kauzën e Çamërisë.
Idrizi tha se po nderohen sot ushtarët grekë, por se ata erdhën në Shqipëri si pushtues.
“Sot po nderohen ushtarët grekë, por ata erdhën si pushtues në Shqipëri. UÇK-ja luftoi drejt dhe raportet e Dick Martyt janë një turp. PDIU nuk është e përkohshme. Ju nuk njihni Çamërinë e Pirros, Ali Demit, Mitrush Kutelit, Kolë Idromenit, ju nuk e dini se Kosova dhe Çamëria u sakrifikuan për Shqipërinë politike, që po ju po e kalëroni pa mëshirë. Po ta dini, do skuqeshit nga turpi. Rroftë Shoqata Çamëria, lavdi për burrat e mëdhenj që krijuan shoqatën. Faleminderit Çamëri, që na ke dhënë krenarinë, duke thënë “çam jam””, u shpreh Idrizi.