“Çamët”, Meta: S’duhen hapur plagë të reja. Idrizi: Viktima jemi ne, jo Greqia
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u përgjigj për qëndrimin e tij për çështjen çame në vizitën e fundit në Greqi.
Nga foltorja e Parlamentit, Meta sqaroi se ministrit të Jashtëm grek, i kishte deklaruar se dy vendet kishin qëndrime të ndryshme për çështjen çame, dhe se kjo ishte e vërteta e deklaratës.
Meta tha gjithashtu se kishte dëgjuar zëra se ai kishte qëndrim të ndryshëm nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati për këtë çështje, duke theksuar se kjo ishte spekulim. Meta theksoi se në marrëdhëniet fqinjësore me Greqinë ka disa plagë, por shtoi se ato duhen shëruar në mënyrë konstruktive dhe jo të hapen plagë të reja.
Në replikë kreu i PDIU-së tha se plagët nuk janë të Greqisë por të shqiptarëve të Çamërisë.
“Plagët janë vetëm tonat. Ne as kemi vrarë njeri dhe as kemi përzënë njeri. Ne nuk kemi ndërmend të vritemi. Na kanë vrarë dhe masakruar. 28 vetë ka të vrarë në familjen e vet zoti Muhedini, ne kërkojmë që të falim por të falim duhet të na kërkojnë ndjesë. Viktimat jemi ne. Në takimin tuaj me presidentin e Greqisë, dhe jam dakord që e kaluara të shërbejë si bazë të ardhmen, presidenti ju kërkoi të avancohen varrezat e ushtarëve grekë, do ju mirëkuptoja tu dëgjoja që ju të kërkonit varrezat për shqiptarët e çamërisë të vrarë.
Jemi për dialog por nëse nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve në Çamëri do të bëjmë thirrje të mos lejohen varret greke. Në seancën e radhës do propozojmë një rezolutë, deklaratë ku të gjithë palët ju ftoj ta votojmë”-tha Idrizi duke replikuar nga vendi me Metën.
KOHA JONË SONDAZH

