Çeçeni i Shqipërisë shpallet kampion bote në mundje, Fuga: Po politikanët pse po lavdërohen?

Shqipëria ka kampion bote në mundje. Zelimkhan Abakarov fiton medaljen e artë në Botërorin e Mundjes të zhvilluar në Beograd të Serbisë. Çeçeni i natyralizuar si shqiptar triumfoi në finalen deri në 57 kg ndaj rivalit amerikan, Thomas Gilman, me rezultatin 7-2.

Akademiku Artan Fuga në një shkrim për këtë ngjarje, thotë se  propaganda dhe politikanët e krahëve të ndryshme po e paraqet me shumë realizëm dhe se duan ta fusin në parti.

“Ore me cilin ekip mundje ha bukë ky i shkreti? Po politikanët çfarë duan me këtë që lavdërohen, rrotullohen, krenarohen? Ai është në punë të vet! Edhe atë duan ta fusin në parti? Po mjaft o mjaft se u bë karagjozllik fare! Lërini mo emigrantët e shkretë të zhvillohen”,-shkruan Fuga në një shkrim në facebook.

Shkrimi i plotë

Alabakëri fare!

Mundësi çeçen Abakarov bravo i qoftë që doli kampion për peshën e tij në sportin e mundjes në Beograd. I heq kapelen atij individualisht!

Por propaganda dhe politikanët e krahëve të ndryshme po e paraqet të shkretin me shumë realizëm dhe të drejtë se ai ka ngritur lart krenarinë shqiptare, emrin e shqiptarit që qysh në traditat më të lashta e ka pasur zanat sportin e mundjes, është një fakt i pamohueshëm për punën e madhe që bëjnë sportet te ne me ekipet zinxhir qysh nga fëmijëria e deri në mosha të rritura, është vazhdim i traditave të Mujit dhe Halilit dhe e Gjergj Alisë që ndesheshin me bajlozat dhe hidhnin gurë të rëndë nga mali, sikur vërteton superioritetin e politikave të sotme sportive mbi mundjen ta zemë që zhvillohej në repartet ushtarake të kufirit në vitet ’70!

Është tregues i miqësisë shqiptaro-çeçene dhe i politikës së jashtme të vendit! Edhe i punës së lavdërueshme me futbollin që bëhet në Tiranë. Ore me cilin ekip mundje ha bukë ky i shkreti?
Po politikanët çfarë duan me këtë që lavdërohen, rrotullohen, krenarohen?

Ai është në punë të vet! Edhe atë duan ta fusin në parti? Po mjaft o mjaft se u bë karagjozllik fare! Lërini mo emigrantët e shkretë të zhvillohen. E po, të të bëjnë krenar me shqiptarin Abakarov. Alabakëri fareeeeee.

SHKARKO APP