Celibashi: Brenda 48 orëve, del fituesi i këtyre zgjedhjeve

Kryekomsioneri Ilirjan Celibashi, fill pas mbylljes së votimeve, në një deklaratë për mediat tha se brenda 48 orëve do të kemi rezultatin e fituesve të këtyre zgjedhjeve për subjektet politike dhe koalicionet.

”Ligjërisht procesi i votimit konsiderohet i mbyllur. Ka akoma radhë në disa qendra votimi. Do të duhet që të merren emrat dhe ID të atyre që janë në radhë. Është herët për të bërë një konkluzion. Ky proces u karakterizua nga qetësia dhe siguria. Nuk mund të shpëtonim nga disa episode dhe pretendime që palët i sjellin të aplifikuara. Por në përgjithsi ishte një proces votimi në përputhje me parashikimet e kodit.

Ka qenë tension i madh në lidhje me ecurinë. Identifikimi elektronik ishte procesi i vështirë, u realizuar në një kohë të shkurtër. Disa konkluzione mund t’i themi. Janë më pak se 200 QV në të cilat nuk është përdorur pajisja e ID, në disa nuk janë paraqitur operatorët dhe në disa të tjera për shkak të problematikave. Në vlerësimin tim ky proces konsiderohet procesi i plotë. Tani që procesi ka përfunduar shoh të nevojshme të sjell në vëmendje që komisionerët të përmbyllin edhe këtë fazë.

Shpresoj që edhe këtë fazë dhe moment angazhimi ta qasim në përputhje me parashikimet e kodit. Me rëndësi që procesi të përcillet me qetësi. Askush nuk e di kush i ka fituar zgjedhjet, çdo deklarim i bërë pa nisur procesi nuk do t’i shërbente qetësisë së nevojshme. Shpresoj që gjithë lidershipi politik të ketë koshiencën për të kuptuar se duhet krijuar kushti i punës që ky proces të përfundojë brenda 48 orëve dhe më pas të vijojmë me kandidatët. Gjithë procesi do të jetë i vëzhguar, monitoruar. Dhe të gjithë regjistrimet do t’ju jepen subjekteve pasi të dalë rezultati. Duhet pak durim! Brenda 48 orëve do ta dimë fituesin”.

SHKARKO APP