Celibashi i KQZ-së: Do presim PD-në deri më 7 mars
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi foli sot regjistrimin e anëtarëve të KZAZ-ve nga PD për zgjedhjet e 14 majit.
Në mbledhjen e KQZ-së u la jashtë rendit të ditës lista me anëtarët e depozituar për KZAZ-të nga të dyja palët e PD-së.
“Të dyja përgjigjet që jap qëndrojnë. Jemi në proces të verifikimit të dokumenteve të paraqitur nga PD në lidhje me propozimet për anëtarë të KZAZ. Duke shtuar edhe faktin që kemi dy lista, një nga Noka në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD dhe tjetra nga Sefa që është përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ. Situata është e tillë që do duhet të konsultojmë, maksimumi deri më datën 7 mars mbi legjitimitetin e personit që do duhet të përfaqësojë interesat e PD, më së pari në procesin e regjistrimit si subjekt zgjedhor në KQZ. Këtu fillon përgjigja e dytë. Vendimmarrja do jetë strikte bazuar në Kodin Zgjedhor, s’kemi ardhur në atë moment që dikush të bëjë interpretimin se ky vendim ishte i drejtë apo i gabuar. Mbetet e padiskutueshme ajo që kam thënë se në momentin që do vendosim do jetë në përputhje me parashikimet e ligjit dhe do jetë e thjeshtë. S’kam asnjë lloj problemi apo drojë për ta marrë këtë vendim. Është shumë e thjeshtë”, tha Celibashi.