Çështja Beleri, Meta: I burgosur politik i Ramës! PD: PS do që të grabisë pronat në Himarë

Opozita sot ka folur për çështjen e Fredi Belerit. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se Beleri është një i ”burgosur politik” i Edi Ramës. Për të rasti i Belerit tregon shembjes e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Kreu i Partisë së Lirisë thotë se arrestimi i Belerit u bë me vetëm një qëllim, që PS të ndalonte vendosjen e tij në krye të Bashkisë së Himarës.

“Nuk kam asnjë koment për protestën, sepse protestat në një vend demokratik duhet të jenë të përditshme. Kam një qëndrim shumë të qartë lidhur me rastin Beleri, i cili është një i burgosur politik, personalisht i kryeministrit aktual, provat për të cilin nuk kanë munguar. Rasti Beleri është rasti i shembjes së shtetit të së drejtës në vendin tonë. Ai është arrestuar në mënyrë flagrante sa i takon të të drejtave të njeriut dhe qëllimi ka qenë një dhe vetëm një, bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës. Edhe qëndrimi që mbahet ndaj tij është një demonstrim i mos ekzistencës së shtetit ligjor dhe juridik i vendit tonë. Kjo bëhet për ti pamundësohet betimi”, tha Meta.

Nga seli blu, deputeti i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, tha se Beleri duhet të betohet dhe se arrestimi i tij ishte me urdhër të Ramës. Ai nënvizoi edhe se kryeministri ka si qëllim që të grabisë pronat e shqiptarëve në Himarë.

”Fredi Beleri e ka marrë mandatin nga KQZ. Asnjë ligj në Shqipëri nuk pengon betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës edhe duke qenë i pandehur në paraburgim. Me Kushtetutë, ai është i pafajshëm dhe gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore. Betimin e tij e pengon pa ligj apo më mirë të themi me ligjin e mafies, vetë kryeministri Edi Rama. Sot Fredi Beleri është i burgosur politik dhe mbahet në paraburgim në kundërshtim me kriteret e ligjit për arrestimin si masë sigurie penale. Ai u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pas një aktiviteti fushate. Fredi Beleri u arrestua vetëm dy ditë pasi Kryeministri Edi Rama, duke premtuar që do të merrej personalisht me të, de facto urdhëroi në një emision televiziv arrestimin e tij”, tha Bylykbashi.

SHKARKO APP