Çështja Doshi, PD: Prokuroria nën presion për të fshehur të vërtetën

Partia Demokratike akuzon mazhorancën qeverisëse se po ushtron presion ndaj Prokurorisë për të fshehur të vërtetën. Bashkim Shehu, drejtues i Departamentit të Sigurisë në PD, theksoi përmes një deklarate për mediat se

“Toni i Kombinatit është mik dhe klient i dyshes Meta-Rama, sepse pikërisht ditën që është nxjerrë për të urdhëri i kërkimit, ai ka kaluar lehtësisht përmes Rinasit dhe është zhdukur drejt Gjermanisë. Një lëvizje e qartë, për pengim të hetimit, dhe fshehje të krimit”.

Sipas PD, ky është një fakt skandaloz, një dëshmi tjetër e përfshirjes së Ilir Metës dhe Edi Ramës në këtë histori kriminale.

“ Një dëshmi e vënies në dispozicion të Ministrit të Brendshëm në mbulim të gjurmëve e largim të dëshmitarëve. Si doli nga Rinasi Toni i Kombinatit kur ishte në kërkim? Me urdhër të kujt?”, tha Shehu

Në vijim të deklaratës së PD-së thuhet se sipas akuzave para të cilave ndodhet Ilir Meta, si porositës i vrasjeve, Toni i Kombinatit ka luajtur rolin e ndërlidhësit, pra të gjetjes së atentatorit dhe çuarjes së planit deri në fund.

“Policia vetë e ka konfirmuar me anë të këtij dokumenti, që Toni i Kombinatit, është përfshirë në këtë skenar të eleminimit të dy deputetëve, pasi e ka shpallur në kërkim me datën 8 shtator të vitit 2014, për akuzën e “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.

Që Toni i Kombinatit është mik dhe klient i dyshes Meta-Rama, e tregon fakti se pikërisht, ditën që është nxjerrë për të urdhëri i kërkimit, ai ka kaluar lehtësisht përmes Rinasit dhe është zhdukur drejt Gjermanisë. Një lëvizje e qartë për pengim të hetimit, dhe fshehje të krimit.

Por Ilir Meta i ka mbajtur kontaktet me të, pasi dërgoi Spartak Brahon, për ta sjellë në Shqipëri, dhe për ta vënë në shërbim të alibisë së tij, në shërbim të fabrikimit dhe manipulimit të çështjes. Në shërbim të pengimit të drejtësisë dhe fshejes së krimit.

Në këmbim të dëshmisë së tij pro-Metës, Tonit i janë afruar garancitë e nevojshme, dhe sot është i lirë edhe pse kërkohet për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Një skemë tipike mafioze, ndërhyrje brutale në hetim, dhe fshehje e të vërtetës.

Këto ngjarje tregojnë se nuk mund të ketë hetim të besueshëm sa kohë që ilir Meta pengon drejtësinë me anë të pushtetit që ka, sa kohë që Edi Rama bashkëpunon në këtë skemë kriminale të shantazhit ndaj organit të akuzës dhe mbulimit të së vërtetës.

Nuk mund të ketë hetim të besueshëm dhe të vërtetë të çështjes më të rëndë të 25 viteve, ku Kryetari i Parlamentit akuzohet si porositës i vrasjes së dy deputetëve, sa kohë që pushteti po bën çdo përpjekje për ti bërë presion prokurorisë e për të fshehur të vërtetën”, theksohet në deklaratën e PD.

SHKARKO APP