Çështja e detit në Hagë/Agim Nesho: Politika e Ramës tregoi dështim, nuk ka konsistencë
Diplomati Agim Nesho, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për vizitën e ministrit të Jashtëm grek në Tiranë dhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama se çështja e detit do të shkojë në Hagë, deklaroi se kemi marrëveshje të sforcuar. Nesho theksoi se politika e Edi Ramës ka treguar dështim, duke shtuar se kjo qeveri nuk ka konsistencë për çështjen e detit.
“Ministri grek është i mirëpritur, duke qenë se Greqia është një vend aleat strategjik i Shqipërisë. Vendi ynë ka marrëdhënie strategjike si me Greqinë, por edhe me Italinë, duke qenë se kemi interesa integrimi, por edhe se në këta shtete jetojnë shumë shqiptarë. Pati nota dakordësie mes dy palëve.
Kryeministri përdori retorikë ma culpa. Vizita ishte e vonuar. Marrëveshja duket e sforcuar. Rama dikur çoi në Kushtetuese çështjen e detit, kurse sot thotë se patriotët janë bezdisës. Duhet të kenë guxim pas 8 viteve e të thonë se kanë dështuar të kenë atë që i takon Shqipërisë. Ka dështuar politika e jashtme, nuk ka qenë konsistente. Patriotizmi duhet përkrahur”, tha Nesho.
Agim Nesho nënvizoi se politika e gabuar e Edi Ramës tregoi dështim. “Ministri i Jashtëm sfidoi Ramën, duke i përmendur konfliktin mes Greqisë dhe Turqisë. Duhet të shikojmë një qeveri që mbron të drejtat e shqiptarëve deri në fund. Kur ka vizita të vullnetit të mirë, nuk jam pro protestave. Por në këtë rast, mirëkuptoj protestën e PDIU-së.
Ata janë të zhgënjyer, sepse janë viktimë e propagandës së PS-së. PDIU është partia me zhgënjime të mëdha,. Nuk ka profesionalizëm në politikë të jashtme. Politika e jashtme tregoi dështim të plotë. Ishim ne që provokuam Greqinë. Politika e gabuar e Ramës tregoi dështim”, u shpreh Nesho.
Më tej, duke folur për zgjedhjet në SHBA, Nesho vlerësoi se Shqipëria dhe Kosova kanë interes të mbajnë marrëdhënie të mira me Uashingtonin, pasi është aleati strategjik i dy vendeve tona.
“Ne si Shqipëri dhe Kosova kemi pasur dhe duhet të kemi marrëdhënie të mira me SHBA-të, për shkak se është aleati ynë më i madh strategjik. Për ne nuk ka rëndësi shumë se kush fiton zgjedhjet, ajo që na intereson është të mbajmë raporte të mira me Uashingtonin. Kam shkruar një libër në kohë pandemie, për zhvillime politike ndërkombëtare. Kosova duhet të jetë e kujdesshme në bisedimet me Serbinë, që të mos humbë atë që i takon”, përmbylli Nesho.