Çfarë do të ndodh më 8 janar? Aldo Bumçi: Ne do të hapim dyert, dritaret e zyrat
Ndonëse sot selia blu ishte e mbyllur, anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Aldo Bumçi thotë se situata e krijuar do të marrë fund të shtunën, ditën e protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, ai theksoi se më 8 janar do të zbatohet vendimi i delegatëve që votuan për shkarkimin e Bashës si kryetar i PD-së.
”Ajo që do të ndodhë me 8 janar është zbatimi i vendimit të 4446 delegatëve që votuan në ”Air Albania” në një proces të jashtëzakonshëm politik, në 3 muaj opozita u ringrit në këmbë.
Aty Basha u shkarkua dhe ky vendim iu nënshtrua votimit të anëtarësisë, ku votuan gati 44 mijë anëtarë në të gjithë Shqipërinë për të miratuar shkarkimin e Bashës. Është shumë e thjesht: që të jesh kryetar duhet të të njohin të tjerët. 90 për qind e anëtarëve të PD nuk e njohin më për kryetar dhe nuk mundet që një pakice t’i imponohet 90 për qind e partisë së saj.
Ne do të hapim dyert, dritaret, zyrat dhe do të fillojë funksionimi normal i PD nga shtëpia e saj. Ne e kemi thirrur protestën për të zbatuar vendimin e anëtarësisë. Opozita është gjallë, në këmbë, e ringritën demokratët në këto tre muaj”.- deklaroi Bumçi.