Çfarë fsheh Pekini për COVID-19? DW: Arrestohen në Kinë 3 aktivistë që nxirnin në internet raporte të censuruara nga autoritetet
Nga Deutsche Welle
Autoritetet kineze arrestuan tre aktivistë që vinin në dispozicion në internet raporte të censuruara nga autoritet për pandeminë e Coronës.
Aktivistët e arrestuar kinezë bënin pjesë në nismën anti-cenzurë Terminus2049 dhe pritet të akuzohen për “nxitje mosmarrëveshjesh dhe provokim”. Ata ripublikonin në internet raporte të censuruara apo të fshira nga autoritet në lidhje me shpërthimin e pandemisë së Coronës në Wuhan. Nën akuzën jo specifike dhe të paqartë për “nxitje mosmarrëveshjesh dhe provokim” autoritetet në Kinë ndërmarrin rregullisht veprime kundër aktivistëve dhe disidentëve. Masa e dënimit për këtë akuzë shkon deri në pesë vjet heqje lirie.
Muajt e fundit, grupi ka botuar një numër artikujsh në lidhje me pandeminë e virusit Corona, përfshirë edhe raporte personale nga qytetarë të metropolit më të prekur, Wuhan.
Akuza se Pekini mban të fshehura informacionet
Raportet apo lajmet e ripublikuara nga grupi Terminus2049, p.sh. rreth kohës kur u bë e qartë se virusi SARS-CoV-2 transmetohet nga një person tek tjetri, lidhen me sa duket me tema që qeveria kineze i klasifikon si të ndjeshme. Ndër të tjera, Terminus2049 rishpërndau në rrjetet sociale edhe raportin e mirënjohur të mjekut Ai Fen nga Spitali Qendror Wuhan, një nga të parët që njoftoi për shpërthimin e epidemisë së virusit. Qytetarë kinezë si dhe opinioni ndërkombëtar e akuzojnë Pekinin se mban të fshehura dhe hesht për informacione të rëndësishme për virusin Corona dhe shpërthimin e sëmundjes së mushkërive COVID-19.