Çfarë marrëdhënie duhet të kemi me Presidentin? Gjekmarkaj: PS bëri provokimin e parë
Deputeti demokrat dhe nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj shprehet se qeveria ”Rama 3” po përdor një fraksion të opozitës për të kryer Reformën Zgjedhore dhe lë mënjanë shumicën në opozitë. Në ”News 24”, Gjekmarkaj theksoi edhe se opozita duhet të ngrejë pikëpyetje se çfarë qëndrimi duhet të mbajë opozita për Presidentin e Republikës.
“Reforma Zgjedhore për 33 vite është bërë me atë që ke kundërshtar, sepse mund të përdorësh një fletë gjykate dhe nuk është etike ndërkohë që mazhoranca opozitare në një krah tjetër përdor një fraksion të opozitës që e ka shpallur hapur bashkëpunimin me qeverinë si të vetmen mundësi për të mbijetuar politikisht.
Nga dje duhet të shtrojmë pikëpyetjen se çfarë marrëdhënie duhet të kemi me Presidentit si institucion dhe jo si individ. Provokimin e parë e ka bërë mazhoranca duke e ftuar, provokimin e dytë e ka bërë ai duke e pranuar. Mendoj se nuk ka bërë gjënë e drejtë si President i Republikës”, tha Gjekmarkaj.