Çfarë u zbulua sot në Komisionin e Sigurisë për çështjen e përgjimeve?
Komisioni i Sigurisë zhvilloi sot seancë dëgjimore me drejtuesit e institucioneve kryesor e të sigurisë në vend. Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, informuan deputetët mbi dyshimet e ngritura për ekzistencën e një pajisje përgjimi në zyrat e Policisë së Shtetit. Ministri Saimir Tahiri mohoi që në zyrat e Policisë së kryhen përgjime. Drejtori i Policisë së Shtetit u shpreh nga ana e strukturave të policisë nuk mund të kryhen përgjime. Shefi i SHISH dha deklaroi se informacionet që kishte pasur për këtë çështje ja ka kaluar Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa prokurori konfirmoi se prej 5 ditësh kishte nisur një hetim mbi dyshimet e ngritura.
Debati i karakterizua nga ngjyrime politike që deputetët e komisionit të Sigurisë kanë dashur t’i japin kësaj çështje.
Llalla: Jemi duke hetuar për përgjimet
Kryeprokurori Adriatik Llalla ishte sot në seancë dëgjimore në lidhje me pajisjen e përgjimit. Kreu i organit të akuzës u shpreh se “Hetimi ka nisur më 13 maj dhe kemi kryer veprime të rëndësishme. Kemi krijuar grup të posaçëm”.
Kryeprokurori tha se “Hetimi ka nisur nga indicie (informacion) se në Shqipëri ishte futur një pajisje përgjuese dhe gjurmuese që përdorej në mënyrë të paligjshme nga Policia e Shtetit. Prokuroria është në fazën e parë të hetime për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”. Kryeprokurori u shpreh se shumë shpejt do të jepen konkluzionet për këtë hetim.
Ministri Tahiri mohoi kategorikisht disponimin nga Policia e Shtetit të një pajisje përgjimi.
“Nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pajisje përgjimi. Policia e Shtetit po bën të gjitha përpjekjet e saj për të reformuar sektorin e sigurisë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë qytetarëve të saj një standard të ri sigurie. Jam shumë i gatshëm të pres përgjigjen e prokurorisë në lidhje mbi këtë çështje, ndërsa kam vënë në dispozicion gjithçka për hetimin e Prokurorisë. Ka një program trajnimesh për të përgatitur efektivët e policisë dhe eksperienca me partnerët ndërkombëtarë është ndihma më e madhe që mund të na japin”, tha Tahiri. Më pas, Tahiri tha se policia disponon një pajisje trajnuese, por që nuk shërben për përgjim.
“Kam thënë që policia disponon një pajisje që funksioni i saj dihet, e cila është në pronë dhe disponim nga partnerët italianë. Ne nuk kemi mundësi të kemi një pajisje të tillë përgjigje. Unë kam thënë se është një pajisje për synim trajnimi, por që nuk bën përgjim. Pajisja ka ardhur në vitin 2007, pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Bujar Nishani. Marrëveshje për mundësi trajnimesh dhe forcim kapacitetesh. Ka ndodhur shumë herë përpara se të vija unë në detyrë që policia italiane të ketë ndihmuar policinë shqiptare. Ka ndodhur dhe do të ndodhë, pasi na duhet profesionalizëm. Pajisja përdoret për një lloj trajnimi që i bën mirë policisë, por unë nuk mund të flas për teknikën e trajnimit”, shtoi Tahiri.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, raportoi para Komisionit të Sigurisë duke deklaruar se “Policia e Shtetit, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, nuk ka kryer përgjime telefonike”.
“Policia nuk ka asnjë pajisje përgjimi telefonik, për sa kohë është ky legjislacion në fuqi, ndërsa gjurmimi është koncept tjetër. Nuk është disponuar kurrë në ambientet e veta dhe asnjë punonjës nuk ka disponuar pajisje përgjimi. Gjithçka që ju pyesni janë pjesë e hetimit, e theksoj dhe një herë që Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka pajisje përgjimi. Çdo element i deklaruar këtu që është në dosje, cënon hetimin dhe mua më vendos para përgjegjësisë ligjore”, tha Çako, duke mos pranuar të ndajë me anëtarët e Komisionit të Sigurisë informacione të tjera.
SHISH: Pajisja është, informova Prokurorin, por jo kryeministrin
Ndërsa kreu i SHISH, Ajazi dha detaje sesi kishte ardhur informacioni për ekzistencën e pajisjes. Visho Ajazi, tha: “Rreth 2 muaj më parë morëm informacion për një pajisje të teknologjisë së lartë që kishte ardhur në Shqipëri, në Vlorë. Ishte në një ambient trajnimi të policisë shqiptare. Kontaktova me prokurorin e përgjithshëm për këtë pajisje. SHISH-i informoi institucionet e shtetit, duke bërë detyrën, për një pajisje që mund të cënonte sigurinë kombëtare”.
Ajazi shtoi se kaq ishte detyra e institucionit që ai drejton: “Pas kësaj, e kishte në dorë prokuroria për të marrë informacione të mëtejshme. Nuk jemi interesuar kurrë se si është përdorur, ky është tagri i Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk kishim mundësi për më shumë informacion. Nuk dimë se kush është përgjuar dhe pse është përgjuar. Nuk e kam parë kurrë pajisjen e përgjimit”.
Këtë informacion ai tha se e ka ndarë edhe me prokurorin e përgjithshëm gojarisht, por jo me kryeministrin, pasi nuk e kishte të konfirmuar ekzistencën dhe qëllimin e kësaj pajisjeje. Madje, ai i është përgjigjur edhe ftesës së Presidentit për t’i dhënë detaje në lidhje me pajisjen që, sipas tij, ndodhet në qytetin e Vlorës, por ai nuk e ka parë personalisht. Presidentit i është ofruar i njëjti informacion që kam ndarë edhe me kryeprokurorin Llalla, shtoi kreu i SHISH-it dhe asnjë informacion më tepër.
Disa minuta më vonë, i pyetur nga anëtarët e komisionit, ai u shpreh që kjo është një pajisje që për shtetin do të përbënte kënaqësi nëse do e zotëronim pasi është e domosdoshme për institucionet ligjzbatuese, por konfirmoi edhe një herë që ka hyrë në Shqipëri vetëm për arsye trajnuese dhe se nuk ka informacion nëse përdoret për përgjim.
Por ai e çoi më tej pohimin duke thënë se kjo pajisje, nëse përdoret për këtë qëllim, përbën rrëzik për sigurinë kombëtare pasi të gjithë personalitetet shtetërore e deri tek efektivi me më pak rëndësi i policisë, do të ishin vulnerabël ndaj përgjimeve.
“Pajisja është, por nuk e di nëse është përdorur”,- tha Ajazi. Paraditen e së mërkurës nisi seanca dëgjimore e Komisionit të Sigurisë me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, prokurorin e përgjigjëm Adriatik Llalla dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
KOHA JONË SONDAZH

