Çlirimi i Skraparit/ Luan Rama: Harrimi një shenjë e rivrasjes, kjo klasë politike s’ka lidhje me LANÇ

Ish-zv/kryetar i LSI-së, Luan Rama ka kujtuar Çlirimin e Skraparit, teksa ka një kritikë për harrimin nga autoritetet shtetërore.

Teksa thotë se historia e trevës së Skraparit me identitet të spikatur dhe me kontribute përcaktuese për fatet e lirisë së vendit, dëshmon një popull qëndrestar në heroizmin e vet dhe të bashkuar sa herë i është dashur të përcaktojë fatet e të ardhmes së tij.

Rama nënvizon se harrimi nga autoritetet është shenjë e rivrasjes, por edhe dëshmi e hipokrizisë së një klase politike që nuk e lidh më asgjë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Postimi i plotë

Në 5 shtatorin e çlirimit: PËRJETË NDERIM DHE MIRËNJOHJE PARTIZANËVE DHE POPULLIT ANTIFASHIST TË SKRAPARIT

Nuk është e rastit që populli atdhedashës i Skraparit qe ndër pararendësit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke u bërë edhe zona e parë e çliruar në të gjithë Shqipërinë.

Historia e kësaj treve me identitet të spikatur dhe me kontribute përcaktuese për fatet e lirisë së vendit, na dëshmon një popull qëndrestar në heroizmin e vet dhe të bashkuar sa herë i është dashur të përcaktojë fatet e të ardhmes së tij.

I lidhur me dashurinë e shpirtit me tokën dhe lirinë, heroizmi i popullit të Skraparit shkëlqeu më shumë se asnjëherë tjetër më parë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Populli dhe partizanët e Skraparit me luftën, gjakun dhe sakrificat e panumërta, i bënë nder Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

Ata u bënë simbol heroizmi, u bënë simbol krenarie dhe përkushtimi atdhetar, dhe të tillë janë e do të mbeten përjetësisht në panteonin e lavdisë së historisë sonë kombëtare, pavarësisht faktit që sot në 5 shtatorin e çlirimit të Skraparit, askush prej autoriteteve shtetërore të Shqipërisë antifashiste, nuk u kujtua të thotë një fjalë nderimi për atë popull, për atë trevë të larë në gjak e mbuluar me lavdi partizane.

Harrimi është shenjë e rivrasjes, por edhe dëshmi e hipokrizisë së një klase politike që nuk e lidh më asgjë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Populli i Skraparit është krenar për historinë e vet. Populli shqiptar është krenar për Skraparin dhe luftën partizane të popullit të Skraparit.

Ndaj sot në 5 shtatorin e çlirimit, përjetë nderim dhe mirënjohje partizanëve dhe popullit antifashist dhe liridashës të Skraparit!

SHKARKO APP