Çmimi i energjisë dhe tregu i makinave elektrike
Kriza globale energjetike e shkaktuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës po ndikon edhe tregun e makinave elektrike. Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, kostoja e funksionimit të makinave elektrike po u afrohet atyre që operojnë me karburant. Sipas ekspertëve, kjo mund të vonojë tranzicionin nga makinat me karburant tek ato elektrike.
Një nga argumentet më të forta në favor të makinave elektrike ka qenë kostoja e ulët e operimit të tyre krahasuar me ato që funksionojnë me karburant. Deri më tani, mendohej se kostoja e karikimit të makinave elektrike ishte shumë më e ulët se mbushja e atyre që operojnë me benzinë ose naftë.
Për shkak të krizës globale të energjisë, kostoja e energjisë elektrike në Britani është tetëfishuar që nga shkurti, thotë Zyra e Tregut të Karburantit dhe Energjisë Elektrike (Ofgem).
Si në pikat publike të karikimit në rrugë, autostrada dhe qendra tregtare, ashtu edhe në shtëpi, karikimi e një makineje elektrike ka qenë gjithnjë e më i shtrenjtë këtë vit.
Sipas kompanisë “RAC”, kostoja e karikimit të makinave elektrike u rrit me 42 për qind që nga maji në Britani.
“Në disa nga pikat më të sofistikuara, karikimi me energji elektrike mund të kushtojë më shumë sesa mbushja e një makine me naftë ose benzinë. Një nga arsyet e rritjes eksponenciale të shitjeve të makinave elektrike ka qenë kostoja më e ulët e operimit të tyre”, thotë Jim Holder nga kompania Haymarket Automotive.
Ai thekson se karikimi i një makine elektrike në shtëpi do të vazhdojë të jetë më i lirë se mbushja me benzinë ose naftë, pavarësisht rritjes së kostos së energjisë.
“Çmimi i makinave elektrike është i lartë, por ju mund përfitoni nga masa të ndryshme stimuluese, si lehtësimet tatimore dhe kostoja me e ulët e funksionimit të tyre. Nëse e karikoni makinën elektrike në shtëpi, tani është pothuajse e sigurt që do të paguani më pak sesa për mbushjen e një makine që funksionon me benzinë ose naftë. Por sigurisht, nëse përdorni pikat publike të karikimit me shpejtësi të lartë, atëherë kostoja do të jetë shumë më e lartë”, thotë ai.
Problemet nuk ndalojnë këtu.
Për shkak se kriza e energjisë mund t’i shkurajojë njerëzit të blejnë makina elektrike, kjo mund të ngadalësojë edhe tranzicionin e tregut drejt makinave elektrike.
“Mendoj se vështirësia reale është se kompanitë e prodhimit të makinave duhet të vazhdojnë të shesin makina elektrike në shifra shumë të larta për të qenë në gjendje të krijojnë tregun e makinave të përdorura, që më pas do t’u krijonte mundësitë për blerje të këtyre llojeve të makinave edhe familjeve me të ardhura më të ulëta. Ky është rreziku real. Çdo pauzë tani nuk po vonon vetëm tranzicionin në një afat të shkurtër, por edhe krijimin e një inventari të makinave elektrike me çmime më të përballueshme”, thotë zoti Holder.
Sipas një sondazhi të organizatës “AA”, 63 për qind e 12,500 shoferëve të pyetur thanë se rritja e çmimeve të energjisë do t’i pengonte ata nga blerja e një makine elektrike./VOA/