Ç`na mësoi Ukraina për një vit!

Nga Ditmir Bushati

Si sot një vit më parë, jo shumë larg nesh, në #Ukrainë, paqja, liria, demokracia dhe sovraniteti, u vendosën nën shënjestren e agresionit të #Rusisë. Deri para kësaj ngjarje të tmerrshme ishim mësuar me një rend botëror që funksiononte sipas devizës “Kurrë Më”! Kurrë më nuk do kishte genocid e krime lufte. Kurrë më kombe të mëdha nuk do të fshinin nga harta kombe më të vogla.

Kush do ta kishte menduar këtë luftë në Europë pas luftrave të përgjakshme në ish-Jugosllavi? Kush do të kishte imagjinuar një eksod tjetër biblik në Europë, pas pasaj çka pësuan motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë? Pas Luftës së Ftohtë kemi qenë dëshmitarë të një përplasjeje midis vlerave liberale, nga njëra anë, dhe nacionalizmit, nga ana tjetër. Besimi ne histori na ushqeu bindjen te triumfi i vlerave demokratike.

Mirëpo, populli i Ukrainës dhe lufta e tij po na tregon se të dy këto koncepte mund të bashkëjetojnë. Ukrainasit i tejkaluan ndasitë politike dhe rrokën armët për të luftuar për sovranitetin, lirinë, demokracinë dhe dinjitetin e tyre. Ata po tregojnë se është e mundur të jesh edhe patriot edhe të besosh në një shoqëri të hapur e demokratike. Nga ana tjetër, ukrainasit po na tregojnë se liria dhe demokracia nuk janë të garantuara një herë e përgjithmonë.

Pushtimi i #Ukrainës nga ana e #Rusisë i ka dhënë fuqi të paprecedentë dhe madje emocionale dallimit themelor midis demokracive dhe autokracive, duke theksuar natyrën ekzistenciale të kësaj ndarjeje. Na ka vendosur edhe para një realiteti të ri e kontradiktor me nuanca të panumërta gri mes dy poleve të demokracisë dhe autoritarizmit. Sot bota nuk është lehtësisht e kategorizueshme si bipolare, tripolare apo edhe multipolare. Është një botë shumë më e rrëmujshme nga ajo që mund të kemi imagjinuar pas rënies së Murit të Berlinit. Megjithatë, fuqia e këtyre ideve dhe ndryshimi i thellë midis demokracive dhe autokracive është ekzistencial në natyrë.

Ndonëse nuk jemi në vijën e parë të luftës, ne jemi të prekur si e gjithë Europa, nga efektet anësore të saj. Nuk është rastësi që ne shqiptarët, krahas aletëve tanë, jemi rreshtuar në anën e duhur të historisë, duke rrezatuar vlerat e familjes euro-atlantike që i përkasim. Ndaj, duhet të ndjehemi krenar për vendin dhe të vazhdojmë të punojmë për rrënjosjen e lirisë, demokracisë, paqes e mirëqenies. #SlavaUkraini

SHKARKO APP