Covid-19 i merr jetën anestezistit Kërci, Basha: Humbje e rëndë, 25 mjekë u shuan në këtë betejë
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të mjekut anestezist Mihal Kërci. Përmes një mesazhi ngushëllimi, Basha shprehet se kjo është një tjetër humbje e rëndë për të gjithë ne dhe personelin shëndetësor, që janë në vijën e parë të betejës për të shëruar të sëmurët me Covid-19, ndërsa vënë në rrezik jetët e tyre. Përmes një fotoje të 25 mjekëve që kanë humbur jetën nga Covid-19, ai shprehu mirënjohjen për sakrificën sublime të mjekëve që humbën jetën në betejën për të shpëtuar jetë.
Postimi i plotë
Me hidhërim të madh mësova për ndarjen nga jeta të mjekut Mihal Kërci. Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjen, miqtë dhe kolegët e profesor Mihalit. Kjo është një tjetër humbje e rëndë për të gjithë ne dhe personelin shëndetësor, që janë në vijën e parë të betejës për të shëruar të sëmurët me Covid-19, ndërsa vënë në rrezik jetët e tyre.
Të gjjthë së bashku jemi përjetë mirënjohës për sakrificën sublime të mjekëve që humbën jetën në betejën për të shpëtuar jetë. Nderimi dhe respekti për sakrificën e tyre, do të jetë bashkëshoqërues i përhershëm në kujtim të kësaj periudhe të vështirë që po kalojmë.
Mjekë, infermierë, ndihmës-mjekë, teknikë, administratorë, vullnetarë, shoferë, roje, e shumë të tjerë, të rinj në profesion apo në pension kanë vënë në rrezik dhe kanë humbur jetën gjatë këtyre muajve pandemie. Mirënjohje dhe falenderime për stafet tona mjekësore! Ata janë heronjtë tanë në vijën e parë të betejës me Covid-19.