Covid-19 në Shqipëri, Manastirliu: Drita në fund të tunelit më e dukshme se asnjëherë

Pas më shumë se 1 viti, spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet normalitetit, kjo si pasojë e uljes drastike të rasteve me Covid-19. Pasi dha këtë lajm të mirë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, u shpreh se drita në fund të tunelit është më e dukshme se asnjëherë më parë. “Tashmë erdhi momenti për të lajmëruar mbylljen e këtij spitali, si spital Covid 2, pra si spital që trajton pacientët me Covid-19 dhe rikthimin në normalitet, në shërbimet që ofron spitali “Shefqet Ndroqi”. Të gjitha urgjencat e pacientëve me Covid-19 të Shqipërisë tashmë do të kalojnë në Spitalin Infektiv Covid 1″, tha Manastirliu.

Teksa vlerësoi punën e madhe të stafeve mjekësore, ministrja pohoi se miratimi për përdorim emergjent i vaksinës Sinovac nga OBSH-ja është një lajm i mirë dhe ritheksoi se vaksinimi nuk do të ndalet. “Drita në fund të tunelit është më e dukshme se asnjëherë tjetër. Do të duhet të vijojmë të jemi vigjilentë. Programi kombëtar i vaksinimit do të vazhdojë. Patëm një lajm të mirë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën e Sinovac, pra Coronavac, si një vaksinë të sigurt, efektive. Ne po vijojmë me ritme shumë të kënaqshme programin e vaksinimit, duke diversifikuar në mënyrë të vazhdueshme portofilin e vaksinave dhe do të vijojë të jetë objektivi jonë kryesor, vaksinim, vaksinim, vaksinim, pasi vetëm duke vaksinuar, ne mund të mbrojmë jetën e qyetarëve, ashtu sikurse e kemi bërë deri me sot, ku shihet që impakti i vaksinimit ka dhënë një efekt real mbi uljen e kurbës epidemike, uljen e rasteve në spitale, uljen e fatataliteteve”, tha Manastirliu.

Mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi” e kanë mirëpritur lajmin e rikthimit në normalitet, duke u shprehur se tashmë do t’u rikthehen ofrimit të shërbimeve për qytetarët për sëmundjet që trajton ky spital dhe do të vijojnë të jenë në gatishmëri. Pavarësisht përmirësimit të situatës epidemiologjike, mbylljes së pavioneve Covid në spitalet rajonale dhe që nga sot edhe spitalit Covid 2 “Shefqet Ndroqi”, Manastirliu tha se do të qëndrojmë në gatishmëri, për t’u rihapur sërish nëse do të ketë shtim të rasteve. ”Gjendja e gatishmërisë do të jetë, nëse do të kemi një shtim të rasteve dhe nëse do të kemi nevojë për ta rihapur këtë spital si spital që t’i shërbejë pacientëve me Covid-19, patjetër që ne tashmë kemi dhe eksperiencën, e kemi kryer dhe më parë, dimë se si bëhet, për t’u rikthyer në skenarët që mund të na sjellë apo implikojë një situatë, ku mund të ketë një shtim të rasteve për pacientët të cilët duhet të marrin trajtim në këtë spital të specializuar”.

SHKARKO APP