Covid-19 po përparon, Presidenti Meta: Kuvendi gjen kohë për të privatizuar shërbimet
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në bashkëbisedimin javor me gazetarët, ndër të tjera u pyet për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt si në Nagorno Karabak, nëse përpjekjet për paqe dështojnë.
Pyetje: A mendoni se shteti shqiptar, qeveria por edhe ju duhet të mbani një qëndrim zyrtar ndaj kësaj deklarate?
”Nëse Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë përgjigjen prej kohësh çdo pretendimi të ngritur nga ata që u ka ngelur ora para 20 vitesh. Të gjithë duhet të mësohen të bashkëjetojnë me Kosovën si shtet i pavarur jo vetëm në Serbi e vende të tjera por edhe në Shqipëri për ata që nuk e kanë të qartë”,-tha Meta.
Në lidhje me Ligjin e Metrologjisë, Meta tha se në kohën që pandemia përkeqësohet, Kuvendi gjen kohën për të privatizuar shërbimet që i takojnë të gjithë konsumatorëve, në duart e oligarkëve të përzgjedhur.
“E gjithë vëmendja duhet të jetë në vënien në kontroll të pandemisë. Ka një ritëm të lartë të të prekurve dhe vështirësi të sistemit tonë shëndetësor për të përballuar ngarkesën e madhe. Që në kohën e valës së parë unë sugjeroja një pakt edhe me opozitën për situatën, por pakti u prish me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar në gjendje të jashtëzakonshme”, u shpreh Meta.