Çuçi tregon se propozoi Gledis Nanon për kreun e Policisë: Trafik droge ka në të gjithë botën
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka treguar arsyjet pse propozoi emrin e Gledis Nanos për të qenë drejtori i ri i Policisë së Shtetit. Për të, Nano është njeriu i duhur për momentin pasi ka demonstruar që ka energji, përgjegjshmëri në kryerjen e detyrës duke e treguar dhe për këtë është vlerësuar gjerësisht për rezultatet që ka arritur si drejtor i Drejtorisë së Anti-terrorit. Në një intervistë për ”Top Channel”, ai thekson edhe se trafik ka në të gjithë botën. ”Unë besoj se të gjithë biem dakord që trafik ka në të gjithë botën bëhet në të gjithë botën dhe ka ngjarje të tilla në të gjithë botën perëndimore të zhvilluar. Kjo është një luftë e pandërprerë që në zhvillojmë”.
Muhamed Veliu: Zoti Ministër cila ishte arsyeja që i propozuat kryeministrit Rama emrin e Gledin Nanos për drejtor të Policisë së Shtetit?
Gledin Nano është një oficer karriere në Policinë e Shtetit dhe besoj së është njeriu i duhur për momentin pasi ka demonstruar që ka energji, përgjegjshmëri në kryerjen e detyrës duke e treguar dhe për këtë është vlerësuar gjerësisht për rezultatet që ka arritur si drejtor i Drejtorisë së Anti-terrorit.
Unë mendoj që të gjithë këtë standard të lartë që krijoi për hir të së vërtetës Ardi Veliu në Policinë e Shtetit dhe unë mendoj që Ardi Veliu është ndoshta drejtori i përgjithshëm më i mirë që ka qenë në 30 vite në Policinë e Shtetit.
Pra këtë standard këtë nivel që ka arritur besoj se Gledisi është njeriu i duhur që do ta shty përpara dhe do të vazhdojmë të kemi rezultate po kaq të mira gjithmonë në përmirësim të performancës së Policisë së Shtetit në funksion të qytetarit.
Muhamed Veliu: Në ditët në vazhdim ju do ta prezantoni Zotin Nano si drejtor të ri të Policisë së Shtetit. Çfarë do ti kërkoni? Ku duhet të fokusohet puna e tij?
As më shumë dhe as më pak atë që në fakt kemi parashtruar në programin qeverisës. Në radhë të parë është vendosja e plotë e kontrollit të territorit të Shqipërisë ku dy sfidat kryesore mbeten, kanabisi ende dhe mbi të gjitha kontrollet për ndërtimet pa leje të të gjithë territorin e Shqipërisë.
Do ti kërkoj ambicien që kemi për modernizimin e policisë shqiptare sidomos ne teknologji me dixhitalizimin dhe kjo është një sfidë shumë e madhe edhe një ambicie e imja si ministër i brendshëm por edhe në programin qeverisës. Padiskutim për të thelluar luftën ndaj krimit të organizuar.
Kemi një bazë shumë të shëndosh për luftën me krimin e organizuar se tashmë jemi partner të besueshëm me të gjitha vendet evropiane edhe me vende si SHBA, ku Policia e Shtetit bashkëpunon në operacione të përbashkëta me hetime të përbashkëta me agjencitë ligj-zbatuese të vendeve perëndimore si e barabartë. Mendoj që këto do të jenë shtyllat kryesore që do ti kërkoj edhe drejtorit të ri ashtu siç edhe kemi vendosur me drejtorin që u lirua Ardin që të vazhdojë më tej Gledisi.
Muhamed Veliu: I thatë dje Komisionit Parlamentar të Sigurisë se muajt e fundit ka patur zero tentative me gomone për të transportuar kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Por ama ditën e djeshme në pikën kufitare të Hanit të Hotit trafikantët mundën të kalojnë më shumë se 300 kg kanabis përtej kufirit shqiptarë. Kemi të bëjmë me një dështim të policisë shqiptare?
Jo. Nuk mund të merresh me një rast dhe të vendosësh gishtin tek policia shqiptare. Unë besoj se të gjithë biem dakord që trafik ka në të gjithë botën bëhet në të gjithë botën dhe ka ngjarje të tilla në të gjithë botën perëndimore të zhvilluar. Kjo është një luftë e pandërprerë që në zhvillojmë. Ka raste te tilla pa diskutim. Ne nuk themi që janë zero rastet. Gjithmonë sa më shumë ne mbyllim shtigje krimi organizuar të hapë shtigje të reja. Kjo është një betejë që do të jetë e vazhdueshme e pa ndërprerë. E rëndësishme është që ne të kemi kontrollin mbi territorin sa më shumë dhe kjo është një nga sfidat që ju thashë të vendosura edhe në prioritetet e qeverisjes.
Muhamed Veliu: Ku jemi përsa i përket blerjes së dronëve nga Turqia që do ti shërbejnë Policisë Shqiptare?
Pa dashur të hyj në procedura konkrete po ju them që është një zgjidhje e jashtëzakonshme për të kontrolluar territorin. Është një revolucion që është bërë në teknologji që përdoret nga shumë vende të zhvilluara sot pikërisht për të kontrolluar territorin. Ne e pamë edhe vetë të demonstruar në Turqi se çfarë avantazhi krijon përdorimi kësaj teknologjie në kontrollin e Territorit. Mendoj shumë shpejt Policia e Shtetit jo vetëm Policia e Shtetit, ta kuptojmë kjo do ti shërbejë shumë agjencive të tjera që janë përgjegjëse për kontrollin e territorit. Që nga kontrolli pyjeve, që nga kontrolli për bujqësinë , zonave të mbrojtura kështu do të jetë një instrument shumë përdorimësh.