Dade: LRI, shembull pozitiv për të gjitha forumet rinore
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Arta Dade ka marrë pjesë në një bashkëbisedim me të rinjtë e LRI-së gjatë seminareve që po zhvillohen në kampin veror të Jalës.
Deputetja e PS-së ka vlerësuar aktivitetet që po zhvillohen në kampingun e ngritur në bregdetin jonian nga LRI-ja, duke e cilësuar forumin rinor të LSI-së si një shembull për të gjitha partitë dhe organizatat.
“Ka qenë një ditë vërtet e veçantë, jo vetëm për faktin që jam ndjerë shumë e re mes Lëvizjes Rinore për Integrim, një organizatë kaq e fuqishme, po aq e mirëorganizuar, me kaq mendim dhe veprim, që padyshim që do të përbënte një shembull pozitiv për të gjitha forumet rinore, politike dhe jo politike. Unë besoj që pjesëmarrja e të rinjve në politikë e tjetërson shoqërinë, e bën më të mirë, e bën më humane, e bën më të gatshme për të përballuar sfidat që ne kemi përpara dhe të gjithë e dimë që sfidën kryesore kemi integrimin në Bashkimin Europian dhe besoj që edhe në këtë drejtim me bashkëbisedimin që unë kam bërë me ju, kam marrë një kënaqësi të veçantë dhe pse jo, ka qenë edhe një ditë reflektimi për mua”, – tha Dade.
Ndërkaq, deputetja e PS-së inkurajoi të rinjtë që të angazhohen në politikë dhe veçanërisht gratë dhe vajzat e reja që të jenë gjithnjë e më shumkë të përfaqësuara dhe pjesë e vendimmarrjes.
“Unë dua t’ju inkurajoj, që të vazhdoni në politikë, në mënyrë të veçantë dua t’i inkurajoj gratë dhe vajzat e reja që kanë qenë kaq të vëmendshme sot dhe padyshim angazhimi im në politik nuk do të kishte asnjë kuptim nëse unë nuk do të shikoja me kënaqësi se sa shumë ne jemi bërë. Por përsëri ka akoma shumë për të bërë për të shumëzuar veten tonë. Dhe këtë e kemi arritur në këshillat bashkiakë me 50%, por kemi sfidën para për zgjedhjet e ardhshme që Parlamenti të ketë 50% zonja të nderuara, zonjusha të jashtëzakonshme si Kejdi Mehmetaj, e cila bashkë me Silva Cakën dhe plot të rinj të tjerë që janë në Parlament, i japin dinjitet dhe i bëjnë nder atij Parlamenti dhe juve ju përfaqësojnë në mënyrën më impresionuese”, – theksoi znj. Dade.
Më tej, duke folur para të rinjve dhe të reja, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme tha politikisht forumet rinore të së majtës tona janë të integruara në BE dhe se alternativa që ata përfaqësojnë ka bërë shumë për progresin dhe për axhendën evropiane të vendit.
“Besoj shumë që të dy forumet që përfaqësojnë alternativën social-demokratike, jam i bindur që kjo alternativë ne do të na çojë në Europë. Ashtu sikurse jemi tashmë pjesë e saj, pavarësisht statusit që ka vendi ynë. Por politikisht, forumet tona janë të integruara. Ne jemi pjesë e të majtës moderne jo vetëm padyshim të vendit tonë që kjo alternativë ka bërë shumë për progresin dhe për axhendën tonë evropiane, por sigurisht nuk do të kishte kuptim nëse kjo nuk do të përktheheshe në ndihmesë dhe në projekte për të rritur cilësinë e jetës së njerëzve që ne përfaqësojmë dhe që presupozohet që qeveriset nga çdo lloj qeverie. Por pa dyshim qeveritë e majta nuk mund të krahasohen me atë çka ndodhur në 8 vitet që ne lamë pas para 2013-s dhe besoj fuqishëm që një bashkëpunim me të gjitha forumet rinore do ta bëjë edhe politikën më të emancipuar, do ta bëj politikën që të ketë një themel padyshim përvojën pozitive dhe vlerat që janë grumbulluar në këto 25 vjet të pluralizmit, por sigurisht që do të jetë më shumë optimiste për të ardhmen e shoqërisë shqiptare”, – deklaroi Dade, teksa ndër të tjerash vlerësoi edhe kontributin e kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta për të majtën dhe e cilësoi si një politikan të spikatur me vlera të veçanta.
“Ju inkurajoj, ju mbështesim, padyshim ne që kemi më shumë përvojë dhe më lejoni të falënderoj Ilir Metën, kryetarin e LSI-së për kontributin që ka dhënë në vazhdimësi për të majtën, por edhe si një politikan i spikatur me vlera të veçanta. Padyshim, Monika Kryemadhin, dua ta falënderoj, dhe të gjithë bashkëudhëtimin që ne kemi bërë ndër vite të pluralizmit në 25 vjet, nuk janë pak. Monika e ka përkushtuar jo vetëm rinisë politikë, por gjithçka që ka patur dhe sigurisht meriton një respekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga ju, por nga e gjithë politika”, – u shpreh deputetja e PS-së, Arta Dade.