Dade: Nuk e besova prishjen e Teatrit, Veliaj jo alternativë, mori të gjitha kusuret e Ramës

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, një nga ikonat e kësaj partie në vite, Arta Dade, e ftuar në A-Krasta Show ka sulmuar kryeministrin Rama për prishjen e Teatrit Kombëtar.

“Unë nuk e besoja, sepse kam qenë edhe në një komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesen e ‘Europa Nostra’, i pata thënë se nuk do të arrihet deri aty sa të shembet. Madje duke patur edhe një lloj besimi te kryetari i Bashkisë, Veliaj se nuk do të arrinte deri aty sa ta prishte. Praktikisht na rezulton që Veliaj nuk është alternativë, por një mbështetës i flaktë i Edi Ramës. Dhe unë besoja që duke qenë i ri në karrierën politike, Erion Veliaj nuk do merrte të gjitha kusuret e Edi Ramës.

Vetë Teatri ishte në autoritetin e Ministrisë së Kulturës. Nuk ka sesi një Teatër Kombëtar t’i përkasë Bashkisë së qytetit. Bashkia mund të ketë disa metra, por prishja e Teatrit është një akt i paprecedent. Jam ndjerë shumë keq atë natë. Dhe në orën 9.00 kur pashë dhunën e policisë të cilën kryeministri e mohonte edhe ndaj grave, më kujtohet vetja kur policia bënte masakër me liderët e opozitës. Pra më është kujtuar kur janë dhunuar gratë deputete, por edhe gazetarët, por edhe ajo fotoja me atë djalin me fytyrë në tokë. Edi Rama të paktën të thoshte nuk e kam parë, jo më ta mohonte! Ky është kulmi!

Herën e dytë kur u bëra Ministre e Kulturës e kam pasur Teatrin në tryezë. Edi Rama  e ka pasur këtë obsesion. Se të kesh një obsesion të tillë kaq të gjatë në kohë, gati 20 vite, është e pakuptueshme për një njeri normal. Ai ka pëlqyer që të çonte miqtë e tij në drejtime siç bëri me Mirela Kumbaron në krye të Ministrisë së Kulturës. Dhe vëllai i Kumbaros ka qenë një nga mbështetesit për të prishur teatrin”- tha Dade.

 

 

SHKARKO APP