Dade: Rama të japë dorëheqjen. Shkelësi më i madh i demokracisë

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Arta Dade nga emisioni ”Top Talk”, ftoi kryeministrin Edi Rama të shqyrtojë një dorëheqje të mundshme për shkak të mosarritjes së objektivit për çeljen e negociatave me BE-në por edhe për probleme të tjera sikurse përmendi ajo demokracinë e munguar të brendshme në grupin parlamentar dhe brenda vetë PS-së. Dade përmend në intervistë transformimin politik të PS-së, nga një forcë e hapur dhe me liri mendimi, në një forcë politike ku të gjithë i nënshtrohen dhe konformohen me Kryetarin e Partisë.

Nga ana tjetër, Dade akuzoi kryetarin e PS se është shkelësi më i madh i demokracisë brenda forcës politike që drejton. “Demorkacia e brendshme është mbytur. Tashmë çdo gjë është vetëm e emëruar. Shkelen të gjitha nenet e statutit, është ndryshuar statuti në favor të rritjes së autoritetit të numrit 1”, tha ish-ministrja e Jashtme. Dade theksoi se këtë qëndrim e ndajnë edhe shumë anëtarë të tjerë të PS, të cilëve nuk u merret mendimi kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë apo për deputetë. “Vazhdoj të mbetem mikeshë me shumë anëtarë të PS që kanë të njëjtin shqetësim se strukturave nuk u merret mendimi në asnjë rast, as më pak kur është rasti i emërimeve të kryetarëve të bashkive apo deputetëve. Këtu kemi një shkelje flagrante të demokracisë së brendshme”, tha Dade.

Sipas Arta Dades, demokracia në PS funksiononte edhe në vitet e para me Edi Ramën kryetar, por pas vitit 2008, situata ka ndryshuar për keq. Ajo bëri Ramën direkt përgjegjës për përfshirjen e personave me rekorde kriminale brenda strukturave të socialistëve. “I takonte PS të kishte flamurin e luftës kundër elementëve me rekorde kriminale, fatkeqësisht ata u bashkëngjiten pranë PS gjatë kohës që Rama është kryetar sepse PS nuk ka patur asnjëherë individë me rekorde kriminale. Ishte për të ardhur keq që flamurin e dekriminalizimit e mori një parti që edhe në opinionin publik rezultonte një parti e kriminalizuar dhe këtu e kam fjalën për ngjarjet e ‘96, ‘97 dhe ‘98”, tha Dade.

E pyetur nëse kritikat e saj lidhen me ndonjë qejfmbetje personale me Ramën, Dade tha: “Unë me Edi Ramën nuk kam asnjë qejfmbetje personale, kam mbajtur të njëjtin qëndrim kur kam qenë pjesë e grupit parlamentar dhe veçanërisht kur isha kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme. Kam qenë kundërshtare dhe kam refuzuar të jem anëtare e Kryesisë për mbytjen e demokracisë së brendshme. Rasti konkret ka qenë gara për kryetarin e partisë, patjetër që unë isha mbështetëse që Rama duhet të rikonfirmonte mandatin si kryetar, duke qenë kundërshtare e krijimit të artificave brenda partisë duke bërë paralelizma me statute të vendeve të tjera demokratike. Në mjaft elemente kam qenë ndoshta zëri i vetëm në grupin parlamentar, përveç personaliteteve që u shkëputën dhe më pas krijuan partitë e tyre. Mendoj se prandaj u largova nga grupi sepse isha një zë kundër”, tha Dade. /TCH/

SHKARKO APP