Dako: PS-LSI të shkrihen në një parti. Duma, kandidate e huaj për qytetin

 

Partia Socialiste dhe LSI duhet të shkrihen në një parti të vetme përmes një procesi. Propozimi vjen nga kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Durrësit Vangjush Dako, i cili e vlerëson bashkëpunimin mes PS-LSI si më të mirin e mundshëm.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Dako tha se ky bashkëpunim është besimi i madh në fitoren e tij më 21 qershor.

Por sipas Dakos shkrirja e dy partive do rrisë fuqinë e të majtës dhe kjo është e rëndësishme.

Dako tregoi respekt për figurën e kundërshtares së tij në këto zgjedhje Grida Duma por nuk la pa e thumbuar atë duke thënë se ajo është me qira në Durrës.

“Si mund të fitojë zgjedhjet një kandidate që është e huaj për qytetin”, tha Dako.

Lidhur me akuzat e PD për shtimin e numrit të zgjedhësve, Dako deklaroi se njerëzit janë të lirë të votojnë ku të duan dhe për kë të duan.

“E rëndësishme është që ata të votojnë vetëm një herë dhe askush nuk mund ti ndalojë se ku të votojnë” tha ai.

Dako tha se ka një projekt konkret për 4 vitet e ardhshme që ndërthur turizmin me bujqësinë në bashkinë e re të Durrësit duke synuar të thithë sa më shumë investime duke treguar edhe njëherë se pika e tij më e fortë është mbështetja që i jep kryeministri Edi Rama, falë punës që ai ka bërë dhe bënë nën drejtimin e kësaj bashkie.

SHKARKO APP