Dako: Transformimi rrënjësor i Durrësit sapo ka nisur

Durrësi po merr një pamje krejt të re dhe po bëhet një qytet më atraktiv për pushuesit por edhe më i bukur për qytetarët durrsakë dhe kjo falë projekteve dhe punës së Bashkisë së Durrësit që po mbështetet fuqishëm edhe nga qeveria shqiptare në realizimin e shumë projekteve madhore. Kështu u shpreh kryebashkiaku i Durrësitk Vangjush Dako, i cili ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e lagjeve 11 dhe 4 me rastin e përfundimit të punimeve të fasadave në bulevardin Dyrrah dhe Epidamn.

Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Durrësit deklaroi se rikonstruksioni i fasadave është në vazhdën e investimeve të shumta që po kryhen në qytetin e Durrësit dhe që po ja ndryshojnë totalisht faqen qytetit: “Durrësi është një qytet turistik që ka nevojë për një imazh tjetër, imazh të cilin ne jemi duke ja dhënë çdo ditë me punën dhe projektet tona. Rikualifikimi i fasadave dhe rikonstruksioni i të gjithë bulevardit kryesor të Durrësit është një nga këto projekte madhore që kanë ndryshuar imazhin kësaj zone. Ne po kryejmë një sërë investimesh në infrastrukturë në shumë zona të qytetit në qendër dhe në periferi dhe janë këto investime që po ja ndryshojnë faqen qytetit për të krijuar kushte sa më të mira jetese për banorët e Durrësit. Është një investim për të përmirësuar imazhin e Durrësit, si një qytet me histori e trashëgimi të pasur kulturore dhe një qytet turistik. Kishte 25 vjet që nuk vihej dorë në këto fasada dhe tashmë pas punës që kemi bërë vetë ju qytetarët jeni dëshmitarë të transformimit të këtij bulevardi dhe përveç imazhit i kemi dhënë më shumë hapësirë qytetarit që ecën në këmbë dhe më pak hapësirë trafikut të makinave e po kështu kjo punë që kemi bërë në këtë bulevard kryesor i ka përmirësuar cilësinë e jetës qytetarëve por edhe bizneseve të kësaj zone. Transformimi i plotë i këtij bulevardi kryesor i cili përfundon në shëtiroren Taulantia i shërben të gjithë qytetarëve të Durrësit për të shkuar në shëtitoren buzë detit. Brenda 15 ditëve do të fillojmë rikualifikimin e më shumë se 100 mijë m 2 të fasadave në rrugë të tjera të qytetit me fonde të qeverisë dhe punimet për këto fasada do të zgjasin tre muaj.”

Më tej Dako deklaroi se këto investime madhore për qytetin po kryhen falë mbështetjes së qeverisë.

 

SHKARKO APP