Damian Gjiknuri inspekton rrugën e re në Prrenjas: Vëmendja për këto zona do të vijojë edhe në të ardhmen
Rruga Rrajcë – Sutaj në Bashkinë Prrenjas është një tjetër investim i përfunduar që u vjen në ndihmë banorëve të zonës dhe e lidh atë me Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan i shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Prrenjasit Nuri Belba inspektuan rrugën e re me gjatësi 3 km, e cila do të rrisë potencialet turistike të gjithë zonës.
Gjiknuri siguroi se mbështetja e qeverisë shqiptare do të vijojë edhe në projekte të tjera për këtë zonë e cila gjithnjë e më shumë po tërheq turistë.
“Kjo është një zonë me bukuri natyrore. Njerëzit janë punëtorë që me djersën e tyre në emigracion kanë investuar në fshat. Këtu njerëzit kanë qëndruar dhe e shohin veten të lidhur me vendin. Ky është një lajm shumë i mirë. Më vjen mirë që edhe ju si Bashki, por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri të mundur bërjen e kësaj rruge e cila hap dhe horizonte të reja për zhvillim pasi shkon drejt parqeve kombëtare që do të kenë interes për shumë më shumë turistë në të ardhmen. Kjo rrugë hap një perspektivë shumë të madhe për banorët dhe vizitorët e shumtë që duhet ta vizitojnë këtë zonë. Vëmendja nuk mungon dhe do vazhdojë të jetë në këto zona”, theksoi Gjiknuri.