Damian Gjiknuri në Bundestag: Zgjerimi i BE-së një domosdoshmëri
Konferenca për Ballkanin Perëndimor do mbahet në Berlin në muajin nëntor nën kujdesin e Kancelarit Scholz. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka publikuar foto nga takimi me Markus Töns, zv.kryetarin e Komisionit të Çështjeve të BE në Bundestag ku u diskutua për perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.
“Diskutuam për perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, sfidat që po kalon familja evropiane dhe reforma që propozon Kancelari Scholz.
Në këtë linjë mbetet me rëndësi edhe Konferenca për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Berlin në muajin Nëntor nën kujdesin e Kancelarit. Ndamë bindjen se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri për të ardhmen e vet familjes evropiane, sidomos pas luftës në Ukrainë.
Një linjë kjo edhe më e qartë tashmë në politikën e jashtme gjermane çka e ka vënë këtë vend partner të Shqipërisë në rolin e lokomotivës në procesin e zgjerimit”, theksoi Gjiknuri.